Useini vlerëson Superligën: Luhet më fort se në Maqedoni

Mesfushori i Flamurtarit shprehet se futbolli në Shqipëri ka më shumë vëmendje se në vendin fqinj. Skuadrën vlonjate e mendon në “pod” në fund të sezonit

Elton Nika

Kampionati rikthehet të enjten me javën e pestë dhe Flamurtari luan në fushën e Vllaznisë, ku i duhet të rikuperojë pikët e lëna ndaj Luftëtarit. Ndeshja e “Loro Boriçit” është shumë e rëndësishme dhe e vështirë. Te Flamurtari kanë vlerësim maksimal për skuadrën kundërshtare, por nuk fshihen dhe theksojnë se do të shkojnë në Shkodër për të marrë 3 pikët. Mesfushori Muhamed Useini nuk ka shumë njohuri për Vllazninë, por i beson skuadrës së tij dhe gjykon se Flamurtari ka kualitetin për të fituar në çdo fushë.

– Useini, Flamurtari luan ndeshjen e radhës me Vllazninë. Si e shihni këtë transfertë?

– Me sa kam parë, Vllaznia ka një skuadër cilësorë dhe me elementë shumë të mirë. Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, besoj dhe e bukur. Mendoj se Flamurtari i ka të gjitha mundësitë të marrë rezultat pozitiv dhe kam parasysh fitoren. E di shumë mirë se nuk do të jetë aspak e lehtë, pavarësisht se luhet në një fushë, ku nuk ka presion, me çfarë kam dëgjuar. Di po ashtu që luajmë ndaj një skuadre me emër në futbollin shqiptar. Ne do të tentojmë më të mirën dhe për këtë jemi përgatitur.

– Ai barazim me Luftëtarin në fushën tuaj sikur ju ka “goditur” pak…

– Për fat të keq, kemi barazuar në Vlorë ndaj Luftëtarit, në ndeshjen e parë para tifozëve tanë, por ky është futbolli dhe duhet të pranojmë verdiktin e fushës. Nuk ishte një ditë e mirë për Flamurtarin, edhe pse luajtëm më mirë se kundërshtari. Tani është Vllaznia dhe mendojmë vetëm për takimin e radhës me të.

– Si është gjendja juaj, pasi në ndeshjen e fundit u dëmtuar dhe u fol edhe për një mungesë tuajën në Shkodër?

– Jo, nuk është kështu. Ndoshta u fry pak rasti im. Pata vetëm një dëmtim në buzë, ku bëra dy qepje. Pas dy ditëve pushim të caktuara nga stafi, nisa normalisht stërvitjen me grupin dhe jam gati. Nuk ishte një dëmtim i rëndë, stërvitje kam kryer normalisht dhe jam plotësisht gati për takimin e radhës.

– Shtatë pikë në katër ndeshjet e para, sipas gjykimit tuaj, korrespondojnë me atë që keni dhënë në fushë?

– Mendoj se ndoshta duhet të kishim më shumë pikë. Nëse do të kishim fituar me Luftëtarin, sot do të ishim dy pikë më shumë në renditje. Megjithatë, mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe të shohim vetëm përpara.

– Çfarë mund të arrijë Flamurtari këtë sezon?

– Është ende shumë shpejt, jemi në fillim dhe duhet të shohim  ndeshje pas ndeshjeje. Nuk mund të bëjmë llogari tani. Megjithatë, kjo skuadër mendoj se ka cilësi, profesionalizëm dhe përkushtim brenda saj. Duhet punë dhe shumë punë, të mendojmë për kundërshtarin e radhës dhe asgjë më shumë. Nëse ecim kështu, jam i sigurt se ky Flamurtar do të jetë në vendet e para të renditjes.

– Mund të bëni një krahasim të kampionatit maqedonas, nga ku ju vini, me këtë shqiptar?

– Mendoj se futbolli shqiptar, pra kampionati këtu, është disi më lart se në Maqedoni. Eshtë më i fortë, ka më shumë vëmendje edhe nga media dhe u kushtohet shumë rëndësi skuadrave të kampionatit dhe ndeshjeve që luhen. Gara është më e fortë në Shqipëri, kurse në aspektet e tjera është aty-aty. Po ashtu, ka më shumë vëmendje nga drejtuesit e klubeve dhe tifozët ndaj skuadrave të tyre.

– Si e ndjeni veten në Vlorë?

– Si në shtëpinë time, këtë e them me plot gojën dhe me sinqeritet. Jam në një skuadër, ku më kanë pritur mjaft mirë që në fillim. Jam në një qytet shumë të bukur dhe njerëz të dashur dhe të lidhur shumë me skuadrën e tyre. Kjo më bën të ndihem mjaft mirë. Tani duhet që ne lojtarët t’u dhurojmë kënaqësi njerëzve, tifozëve dhe këtij qyteti, që meriton gjithçka nga futbolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online