Vllaznia ka marrë humbjen e parë në kampionat teksa është mundur nga Kukësi në shifrat 2-0. Ndeshja u zhbllokua nga perla e Shqiprim Taipit në minutën e 29. Më herët ishte Da Silva që kishte shpërdoruar një mundësi të artë. Një ndeshje e barabartë mes dy ekipeve, por te verilindorët ishin më konkret.
Ndërkohë goli i dytë do të vinte nga Ndreca. Një tjetër realizim i bukur i mbrojtësit të Kukësit teksa të gjithë futbollistët po shihnin trajektoren e çuditshme të topit që hyri në rrjetë. Pas këtij takimi, ekipi i Longos bashkangjitet me ekipet e tjera për të ndarë kreun e Superiores. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”
Brdaric: “Urime për Kukësin. Shënuan dy herë dhe ishte mëse e mjaftueshme që të fitonin ndaj nesh. Nuk kishim mungesë përqendrimi, por mungesë vendosmërie. Kishim mundësi të mirë me Da Silvan. Goli që na shënoi Taipi vendosi edhe takimin. Nuk i kam të qarta as vetë këto luhatje, shënojmë shumë gola në një ndeshje dhe pastaj e kemi shumë të vështirë që të dalim te goli. Do ta analizojmë situatën dhe në ndeshjen tjetër do të tregojmë një fytyrë shumë të bukur”.
Longo: “Vllaznia është ekip shumë i mirë, i shënoi 6 gola Dinamos vetëm pak ditë më parë. Vllaznia mund të fitojë kampionatin, i dinim vlerat e tyre. Ata luajtën shumë mirë, por edhe ne ishim shumë mirë. Ky rezultat është puna e këtyre lojtarëve dhe shpërblimi për sakrificën e tyre në stërvitje. Ne duhet të shënojmë më tepër, pasi krijojmë shumë raste. Tre, katër, pesë gola, duhet t’i mbyllim ndeshjet. Për mendimin tim Lulaj është qendër mbrojtësi më i mirë i kampionatit dhe Bytyçi që është i ri, është fantastik”. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/