Tre barazime në tre ndeshjet e fundit të kampionatit, të cilave u shtohet edhe humbja e fundit në Europa League kundër Apollonit në Qipro. Lacio është në krizë të plotë dhe kjo situatë vazhdon prej disa javësh.
Skuadra e mrekullive të sezonit të kaluar është zhdukur: barazimi ndaj Kievos vulosi fundin e ekipit zbavitës, të shpejtë, me futboll brilant dhe që krijonte shumë raste për gol. Problemet lidhen kryesisht me zgjedhjet teknike të trajnerit Inzagi dhe faktit që po e rreshton ekipin me tre mbrojtës.
Zgjidhja mund të jetë mbrojtja me katër, të cilën trajneri e ka përdorur vetëm në momentin kur ndryshon taktikën gjatë ndeshjes. Nga blerjet e reja, vetëm Açerbi dhe Korrea duken në gjendje të bëjnë diferencën. Të tjerët vuajnë: nga ish-kapiteni i Fiorentinës, Badelj te Valon Berisha, të cilët janë përdorur fare pak. Një element ky që drejtorit sportiv, Igli Tare nuk i ka pëlqyer aspak.
Klubi mendon se cilësitë e skuadrës janë mbi rezultatet e arritura dhe ka vendosur të marrë një masë. Të gjithë në grumbullim, urdhër i klubit! Lotito dhe Tare nuk kanë duruar më dhe kanë dashur të japin një mesazh të fortë për grupin e lojtarëve.
Lacio do të qëndrojë e grumbulluar deri të shtunën, ditë që luhet dhe ndeshja me Sampdorian. Nga ana tjetër, Inzagi shpreson në rikuperimin e dyshes: Lukas Leiva dhe Luis Alberto. Lojtarët i kanë kaluar dëmtimet dhe po bëjnë maksimumin për të qenë të gatshëm kundër ekipit xhenovez.