Boksieri lezhjan Jurgen Uldedaj fitoi titullin vakant WBO Junior në divizionin cruiserweight. 21-vjeçari mposhti në një përballje prej 10 raundesh kundërshtarin argjentinas Nikolas Leandro Algarnjanaz, i cili vinte në këtë duel me një rekord të pamposhtur prej 7 fitoresh radhazi. Vendimi ishte unanim , 98 – 91, 98 – 91, 98 – 91.
Kundërshtari u tregua agresiv në raundet e para, por gjithçka u menaxhua nga Uldedaj, i cili e rrëzoi fillimisht argjentinasin në raundin e katërt.
Uldedaj u ndesh për herë të parë në karrierën e tij në Shqipëri. Dueli u zhvillua në sallën “Feti Borova” pranë Tirana Olimpik Park në prani të publikut shqiptar, ku nuk mungoi dhe një legjendë si Ish-boksieri nga Juniku, Luan Krasniqi.
Kjo është fitorja e dhjetë në po kaq duele për boksierin shqiptar. Titulli WBO junior është i dyti për Uldedajn, i cili në muajin shkurt fitoi titullin ndërkombëtar gjerman në peshën cruiserweight.