Uellbek dhe Lakazet kthejnë Arsenalin në “jetë”

 

Arsenali ka lënë pas dy javë tepër të turbullta dhe është kthyer tek fitorja në Premier, duke likuiduar pa asnjë problem Bornemuthin që nuk ka bërë thuajse fare rezistencë. “Topçinjtë” kanë fituar 3-0, por shifrat mund të kishin qenë edhe më të thella nëse vendasit do të ishin treguar më të saktë para porte. Venger e ka nisur me një suprizë takimin e djeshëm, duke lënë në stol Aleksis Sançez dhe besuar dyshes Uellbek-Lakazet në sulm. Zgjedhja e francezit është shpaguar. Arsenalit i kanë mjaftuar vetëm 6 minuta lojë për të kaluar përpara. Dani Uellbek ka shënuar me kokë pas një krosimi të saktë të Kolasinaç. Arsenali çlirohet dhe “derdhet” drejt portës së Begoviç, që bën mrekullinë para Granit Xhakës dhe Mesut Ozilit. “Qershitë” e kanë të vështirë të mbajnë presionin e Arsenalit dhe në minutën e 27-të vendasit dyfishojnë shifrat me blerjen e re Lakazet. Për Arsenalin është gjithçka e thjeshtë, teksa tek Bornemuthi i druhen goleadës. Aq më shumë kur në minutën e 50-të Uellbek trefishon shifrat. Por për fatin e ekipit të drejtuar nga Ed Houi, lojtarët e Arsenalit “ngopen” së shënuari dhe deri në fund shpërdorojnë shumë. Gjithsesi rëndësi ka fitorja dhe Venger e ka marrë përgjigjen e parë nga ekipi.

Tifozët fërshëllejnë Aleksis Sançez

Tifozët e Arsenalit nuk ia kanë falur sjelljen e tij sulmuesit të tyre Aleksis Sançez, i cili për muaj me radhë gjatë verës kërkoi largimin nga “Topçinjtë”. Trajneri Venger e ka ulur në stol, por në momentin kur ai është futur në lojë si zëvendësues (75’), nga sektorë të ndryshëm të “Emirates Stadium” kanë ardhur kore fërshëllimash për kilianin. Ndoshta, atij do t’i duhet pak kohë për të rifituar përsëri zemrat e tifozëve të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *