Mediat në Itali raportojnë se Juventus është nën vëzhgim të posaçëm nga prokurorët e Torinos për dy arsye kryesore. E para është përdorimi i supozuar i fitimeve kapitale të falsifikuara në bilancet e klubit, të cilat, natyrisht, u zbuluan së fundmi. Një arsye tjetër është pagesa sekrete e pagave për futbollistët në fazat e hershme të pandemisë dhe e gjithë kjo mund t’u kushtojë shtrenjtë.
Sipas mediave italiane, UEFA nuk ka ndërmend të presë përfundimin e procedimit penal në Itali, por do të reagojë më herët. Pra, në Nyon priten informacione të hollësishme nga Prokuroria Publike në Torino, por nuk janë menjëherë të disponueshme.
Pasi të përcillen dokumentet, UEFA do të jetë në gjendje të veprojë në mënyrë autonome dhe do të shqyrtojë situatën reale ekonomike në Juventus. Juventusi aktualisht kërcënohet më së shumti me gjobë nga UEFA, por nëse vërtetohen pagesat e fshehta të pagave për futbollistët, atëherë ka shumë mundësi që UEFA t’i përjashtojë nga të gjitha garat. Pra bardhezinjtë nuk do të kenë mundësinë të luajnë në Europë, një dënim i ngjashëm si ai i Skënderbeut. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/