Në ndeshjen Flamurtari-Teuta, në tribunën e gazetarëve ishte edhe Met Uollkër, i cili po plotëson objektivin për të parë 55 ndeshje në të gjithë Europën. Për “Sport Ekspres” ai tregon përshtypjet nga kampionati shqiptar
Enxhi Fero
Met Uollkër, 40 vjeç, punon në Ministrinë e Drejtësisë në Angli. Në qershor kërkoi një vit pushim për të përmbushur projektin e tij, që po e bën të famshëm në Europë: të arrijë që në një sezon të shikojë në stadium të paktën një ndeshje nga 55 kampionate të ndryshme në Europë. (prej kësaj nisme ka marrë emrin edhe logu i tij “55 Football Nations”). Udhëtimi i tij i gjatë filloi nga kampionati gjeorgjian dhe tani, pasi ishte fundjavën e kaluar në Kosovë dhe Maqedoni, gjendet në Shqipëri. Të shtunën ka parë ndeshjen Flamurtari-Teuta dhe kampionati shqiptar është i 28-ti që ai ndjek nga afër. Për “Sport Ekspres” Uollkër tregon gjithçka në lidhje me aventurën e tij: 55footballnations.com
– Met, si lindi ideja e “55 Football Nations”?
– E dua futbollin, më pëlqen të udhëtoj dhe dëshiroja të bëja diçka ndryshe në kohën time të lirë. Ideja më lindi, kur lexova një libër mbi futbollin në Lihtejnshtejn, kuptova që dëshiroja diçka ndryshe nga “futbolli mainstream”. Por është e vërtetë që është edhe një sfide me veten: të shikoj, nëse e arrij një synim kaq të madh dhe të bukur. Gjithçka është më e vështirë nga Botërori në Rusi verën e ardhshme, sepse federatat janë të detyruara të mbarojnë më parë kampionatet.
– Cilat janë problemet më të mëdha që keni hasur?
– Problemi kryesor është organizimi, oraret dhe kalendarët e ndeshjeve janë gjithmonë në ndryshim, për arsye të ndryshme. Për shembull, në Lituani ndeshja që dëshiroja të shikoja u postua, sepse një nga dy skuadrat (Trakai) kishte mbërritur në turnin e tretë eliminator të Europa League. Në Letoni ndeshja u anulua, sepse një nga dy skuadrat ishte dënuar për ndeshje të shitura. Në fillim të nëntorit duhet të isha në Luksemburg, por kalendari i tyre u modifikua në fund dhe unë ditën tjetër duhet të isha në Gjermani. Për këtë e spostova udhëtimin tim në Luksemburg për në mars. Janë gjëra që ndodhin dhe nuk mund të bësh asgjë, duhet të jesh shumë i gatshëm të ndryshosh.
– Keni qenë për vizitë në shumë kampionate, cilat janë gjërat që ju kanë mbetur më shumë në mendje, pozitive apo dhe negative?
– Negative është qasja e paktë e publikut në disa kampionate, edhe nëse hyrja ishte shumë ekonomike ose në disa raste edhe falas. Në një nga tri ndeshjet në Armeni, ku isha i pranishëm, kishte vetëm 80 njerëz. Nuk kisha qenë kurrë në një ndeshje me kaq pak tifozë. Dhe hyrja ishte falas! Nuk është një arsye ekonomike, personat e disa shteteve preferojnë Barcelonën ose Realin e Madridit në vend të futbollit lokal. Ky është edhe kuptimi i aventurës sime: promovimi i futbollit që ndiqet më pak. Në mënyrë pozitive më ka lënë mbresa të mira niveli teknik i disa lojtarëve në kampionatet më pak të fortë. Njoh mirë ndeshjet e kampionatit anglez, ku mbretërojnë intensiteti dhe forca fizike. Për këtë arsye, më habiti loja e disa prej këtyre lojtareve, si ne Gjeorgji dhe në Kosovë.
– Fundjavën e kaluar ishe pikërisht në Kosovë. Si e gjykoni nivelin e kampionatit atje?
– E vështirë të japësh një mendim. Më la mbresa, siç e thashë, niveli teknik i disa lojtarëve si Xhevdet Shabani (tani te Drita me një të kaluar te Teuta). Por po të kalosh te niveli fizik, gjykimi ndryshon, sepse disa lojtarë si edhe Shabani nuk janë “atletët perfektë”, mbase pinë ndonjë cigare dhe gjëra të tilla. Nëse një klub kosovar do të sfidonte një klub islandez, për shembull, do të haste shumë vështirësi në nivelin fizik, por do të ishte shumë më i pëlqyeshëm për t’u parë.
– Sa e njihni kampionatin shqiptar?
– Nuk e njoh shumë kampionatin shqiptar. Kam bërë shumë kërkime në këto ditë, mbi të gjitha mbi Flamurtarin dhe Teutën. Flamurtari po përjeton sezonin më të mirë të viteve të fundit. Për nivelin e kampionatit nuk mund të them shumë. Di vetëm që ka pasur momente të mira verën e kaluar nga Skënderbeut në Europa League.
– Çfarë mund të na thoni për ndeshjen që ndoqët?
– Flamurtari-Teuta nuk ishte një ndeshje e bukur, sepse dy skuadra të ngjashme e fshinë njëra-tjetrën. Të dyja skuadrat u munduan të luanin futboll në pjesën e parë, por loja nga krahët ishte e dobët dhe të dyja kishin mbrojtës qendre të fortë, që fituan çdo dyluftim ajror.
U habita nga numri i lartë i topave të gjatë, pavarësisht se asnjë sulmues nuk fitonte gjë në ajër. Çyrbja ishte zgjedhja e sulmuesve së pjesës së parë dhe Zhufo dukej më mirë në një pozicion më qendror në pjesën e dytë. Por Bicaj dhe mbrojtësit e qendrës ishin lojtarët më të fortë. Pati një thirrje të vonuar për një gol të Flamurtarit nga një goditje këndi, por mendoj se portieri pësoi faull. Arbitri ishte i mirë, por ishte një ndeshje e dobët.
Do të shkruani një libër, apo jo?
– Po, po e shkruaj tashmë. Do të kem në dispozicion pak a shumë 6/7 faqe për çdo kampionat, kështu që do të mbledh historitë më të mira të çdo vendi. Kam folur me shumë njerëz gjatë këtyre udhëtimeve: gazetarë, lojtarë, trajnerë, presidentë dhe tifozë. Secili prej tyre më ka lëne diçka të ndryshme në mendje. Tani më pret detyra më e vështirë: t’i mbledh këto emocione, këto ndjenja në pak faqe.
– Përveç librit, si do të jetë jeta e Met Uollkër vitin e ardhshëm?
– Me shumë mundësi do të qaj (qesh). Do t’i kthehem jetës sime të përditshme. Do të jetë e vështirë, por do t’ia arrij, të gjitha gjërat e bukura mbarojnë. Mbase do të përgatis ndonjë projekt tjetër, në Azi për shembull. Gishta të kryqëzuar dhe do të shikojmë.