U rikthye te tre pikët, Shehi i gëzohet triumfit në derbi: Fitore që na vjen në momentin e duhur

Partizani ka dalë triumfues në derbin me Dinamon. Të kuqtë janë kthyer më në fund te fitorja, duke mposhtur dinamovitët me rezultatin 2-0. Goli i parë u shënua në minutën e 30 nga Bintsukaja, ndërsa në pjesën e dytë, më saktësisht, në minutën e 70, Albers Keko dyfshoi shifrat. Me këtë humbje, Dinamoja mbetet jashtë 4-shes, megjithëse ndan të njëjtin numër pikësh me Tiranën.

Ndërkohë, Vllaznia është ndalur në një barazim 0-0 nga Teuta. Shkodranët kanë hyrë në një krizë rezultatesh në javët e fundit, duke rrezikuar ndjeshëm edhe vendin e dytë në renditje. Partizani është vetëm një pikë larg tyre. Më poshtë mund të lexoni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Shehi (Partizani): “Shpresoj që kjo dëshrië dhe ky agresivitet të na shoqërojë në këto ndeshje të mbetura në kampionat. Një fitore që na vjen në momentin e duhur. E donim ta fitonim këtë ndeshje, duke ditur formën që kemi pasur javët e fundit. Pastaj derbi ndaj Tiranës është derbi… nuk ka nevojë për motivime. Kërkonim të dilnim superior në mesin e fushës, aty ku është edhe zemra e fushës. Lojtarët e tyre interesoheshin për Rrapajn dhe Taipin dhe Maget shpesh herë dilte bosh. Kur njëri ekip mbetet me 10 ka një mobilizim më të madh, ndërsa ekipi që është në superioritet e ul pak mobilizimin”.

Martini (Teuta): “Shihej që ishte ndeshje e tensionuar, sepse të dyja skuadrave u duheshin pikët. Nëse Shkodra ishte e kënaqur edhe me barazimin, ne na duhej fitorja. Mendoj që barazimi ishte i drejtë për këtë ndeshje. Kërkoja me ngulm që ta fitoja këtë ndeshje. Mendoja që do ta fitonim, duke parë edhe formën që ka pasur Vllaznia në ndeshjet e fundit. Edhe tani pas ndeshjes, nuk jam i kënaqur. Po të mos ishin golat e pësuar në sekondat e fundit, do të ishim në 4-she, pa diskutim”.

Osmani (Vllaznia): “Pas rezultateve të fundit ishim të detyruar që të ndryshonim diçka. Jam i kënaqur me paraqitjen e këtyre lojtarëve. Ishte një test për ata lojtarë që mendojmë t’i aktivizojmë ditën e mërkurë. Në pjesën e parë u orientuam më shumë në lojën mbrojtëse. Nuk depërtonim në sulm. Në momentin kur duhet ta bënim, nuk kishim pasimin e duhur. Kjo pikë vlen. Ndoshta për momentin jo aq shumë, por në fund të kampionatit do të vlejë”.

Mehmeti (Dinamo): “Në 30 minutat e pjesës së parë duhet të ishim më të përqendruar dhe më agresivë. Kemi humbur shumë dyluftime dhe zbritëm shumë poshtë. Më vjen keq, sepse skuadra pëson gol dhe pastaj reagon. U thashë lojtarëve që Partizani do ta niste vrullshëm. Morëm një penallti dhe aty mund ta kishim ndryshuar ndeshjen. Ndeshja u mbyll me kartonin e kuq. Nuk i sinkronizuam mirë kohët e presionit. Partizani ishte shumë më i vendosur për të fituar dyluftimet. Filtri i parë duhet të ishte shumë më agresivë. Skuadra e nisi jo ashtu si duhet në aspektin psikologjik, jo me besimin e duhur. Partizani e meritoi fitoren. Faktori kyç i kësaj ndeshjeje ishte menaxhimi jo i mirë i 30 minutave të para”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/