U përjashtua nga Holli Skocez i Famës, Gaskojn: Pa qejfmbetje, isha më i miri

Vetëm pak ditë më parë, Federata Skoceze e Futbollit vendosi që të hiqte emrin e Pol Gaskojn nga kandidaturat për Hollin e Famës në Skoci, aty ku qëndrojnë figurat më të rëndësishme të sportit. Arsyeja lidhet me të kaluarën e ish-mesfushorit, që sipas anëtarëve të federatës nuk është i denjë për të përfaqësuar futbollin skocez.

Përgjigja e “Gaza”-s nuk vonoi. Si zakonisht në mënyrën e tij, të drejtpërdrejt, me ironi dhe ku polemikat nuk mund të mungojnë. Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, 51-vjeçari i’u drejtua Federatës Skoceze me një fjali: “Pa qejfmbetje”. Megjithatë, poshtë mesazhit, lojtari i cilësuar nga Muzeumi Kombëtar i Futbollit si “Lojtari më i talentuar anglez i brezit të tij”, postoi videon e super-golit që i shënoi Skocisë në Euro ’96.

Një shuplakë e vërtetë për ata që donin t’i prishnin festën. Në fakt, përjashtimi i Gaskojn nga zyrtarët e federatës u realizua në mënyrë të diskutueshme. Kjo për faktin se emri i tij u përfshi në listë nga komiteti i pavarur i Hollit të Famës, që e aprovoi kandidaturën, e cila mbështetej fort nga tifozët (kryesisht nga ata të Rejnxhërs, skuadër me të cilën si lojtar mesfushori ka fituar dy tituj kampionë dhe dy Kupa në vitet 1996 dhe 1997).

Megjithatë, disa anëtarë të Federatës Skoceze kërcënuan se do të bojkotonin ceremoninë, duke bërë që komiteti t’a rishqyrtonte kandidaturën dhe t’a fshinte nga lista. Praktikisht një deklaratë lufte, ose më mirë një shans i shkëlqyer që Pol Gaskojn të vazhdonte polemikat: “Me Rejnxhërsin kam luajtur në një prej momenteve të mia të arta, duke adhuruar mbështetjen e tifozëve”.

Më tej, personazhi kontrovers shtoi: “Nuk kam nevojë të jem në Hollin e Famës së Skocisë, për t’u njohur si një prej më të mirëve. Më mjafton të ndjej mbështetjen e njerëzve dhe e di që kam qenë më i miri. Ju dua të gjithëve! Gaza.”. Gjithmonë gjenial dhe i papërmbajtshëm. Thjesht Pol Gaskojn!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *