Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka lanë skuadrën e Tiranës për të shkuar në një nga klubet me histori të madhe në Poloni, Legia e Varshavës. Dy talentet shqiptarë lanë Shqipërinë me ëndrrën për të bërë karrierë në një ligë më të fortë europiane, por në Ekstraklasa po i gjen më keq se në Superiore.
Pas titullit kampion të fituar sezonin e shkuar, këtë edicion Legia ka hyrë në një krizë të thellë rezultatesh. Sigurisht që në kushte të tilla janë trajnerët ata që marrin pasojat mbi shpatullat e tyre. Michniewicz u largua nga kreu i pankinës jo shumë gjatë pas fillimit të sezonit, teksa pozita në tabelën e renditjes nuk ishte aspak ajo që klubi priste.
Pasardhës i tij u emërua në mënyrë të përkohshme trajneri i ekipit të dytë, Marek Golebiewski. Por as ky i fundit nuk ka mundur të sjellë ndryshim në radhët e Legias, që vijon të marrë rezultate të dobëta në kampionat. Kjo është arsyeja përse Golebiewski ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij dhe ua ka komunikuar vendimin edhe lojtarëve. Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka mbeten tashmë pa një trajner në radhët e klubit polak dhe janë në pritje të timonierit të ri të ekipit. Një situatë kjo me të cilën janë ndeshur shpesh në Superiore./Sport Ekspres/