Khabib Nurmagomedov u dorëhoq nga UFC pas fitores në përballjen e 24 tetorit ndaj Justin Gaethje. Arsyeja kryesore e pensionimit në moshë mjaft të re sipas rusit ishte premtimi që i dhënë nënës së tij për të mos u ndeshur pa praninë e babait që u ndaj nga jeta në qershor.
Megjithatë duket se ky nuk është i vetmi pretekst, pasi kampioni i botës i peshave të lehta kërkon të rivalizojë kompaninë më të madhe për MMA, UFC.
Media më e rëndësishme në Rusi, “RT SPORT” publikoi ditën e sotme një lajm ku thuhet se Khabib Nurmagomedov ka blerë kompaninë ruse për MMA” Gorilla Fighting Championship” për 1 milionë dollarë.
Emri i kësaj organizate do të ndërrohet në “Eagle Fighting Championship” që do të bazohet në pseudonimin e Khabibit, shqiponjë.
Nëpërmjet figurës së tij mjaft të njohur, rusi nga Dagestani kërkon ta përhapë këtë kompani në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të konkurruar drejtpërsëdrejti edhe organizatën më të madhe në botë, UFC-në. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/