U eliminua nga Kukësi në gjysmëfinale, trajneri i Tiranës: Përveç golit të dytë nuk kam asnjë peng

Mbrëmjen e sotme janë njohur dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë. Do të jenë Kukësi dhe Egnatia ekipet që do të përballen për të marrë duart e tyre trofeun. Kukësi eliminoi Tiranën, pavarësisht humbjes 1-0 të marrë në “Air Albania”, ndërsa Egnatia siguroi kualifikimin pas 120 minutave lojë. Rrogozhinasve u mjaftoi një barazim 1-1 në “Loro Boriçi” për të nxjerrë jashtë garës Vllazninë. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisiionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Fagu (Tirana): “Jam i zhgënjyer me moskualifikimin, pasi krijuam volum loje. Kishim gjatë gjithë kohës topin. Por Kukësi u mbrojt mirë. Nuk arritëm të shënonim dot golin e dytë, i cili do të na lironte më shumë. Por të shohim përpara, kemi kampionatin tani. U munduam gjatë gjithë kohës të shënonim golin e dytë, por presioni i golit, presioni i rezultatit… duhet të ishim pak më të qetë në ato momente deçizive kur ishim në zonën e tyre. Përveçse golit të dytë, nuk kam ndonjë peng”.

Osmani (Vllaznia): “Kishim shpresa te kjo lojë. Edhe diferenca na premtonte që mund të kalohej. Në momentet më të sigurta të tonat, kur kishim një lojtar më shumë në fushë, morëm golin për një gabim individual. Na vjen keq. U skualifikuam, por na ka mbetur kampionati dhe do të përqendrohemi aty”.

Tetova (Egnatia): “Është një kualifikim shumë i çmuar për ne, për mënyrën se si shkoi loja. E kishim përgatitur ndeshjen ndryshe, por dy dëmtimet na i prishën ekuilibrat e lojës. Kontigjenti është. Mendoj që i kemi forcat për të shkuar te të dy trofetë. Te njëri kemi shkuar në finale, do ta tentojmë. Sot kemi rrezikuar goxha, me dijeninë time. Ia kërkova skuadrës që pas 25 minutave do të kishim fytyrë tjetër. Ato dëmtimet në minutat e para na nxorrën nga sistemi që përdorim gjithmonë. Përfituam nga entuziasmi që kishte Vllaznia”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/