Verën e shkuar Laçi afroi shumë futbollistë brazilianë, me ndërmjetësimin e trajnerit të asaj kohe, Marselo Troisi, i cili qëndroi vetëm pak muaj në drejtimin e skuadrës kurbinase.
Kolonia braziliane nuk zuri vend në Laç, por një futbollist që la mbresa në pak ditë stërvitje ishte Maikon Eskuerda. Mesfushori 27-vjeçar luajti një ndeshje miqësore ndaj Besëlidhjes dhe shkëlqeu, por u dëmtua rëndë, duke pasur nevojë për operacion në menisk.
Kjo bëri që Laçi të mos e federonte, por nuk i ka shkëputur kontaktet dhe tashmë provon sërish. Maikon Eskuerda është kthyer në formë të plotë fizike dhe ditët e ardhshme do të jetë në Shqipëri. Natyrisht, do të shihet forma fizike e futbollistit të talentuar, i cili ka luajtur edhe në Serinë B braziliane, sepse cilësitë klubi bardhezi ia njeh.