Turneu UEFA Development U-16 për femra/ Debutueset Ago & Ndoi: Synojmë të fitojmë të 3 sfidat

Kombëtarja shqiptare U-16 për femra vazhdon përgatitjet me intensitet në kuadër të pjesëmarrjes në turneun UEFA Development U-16, që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 3-8 maj.

Në këtë turne do të marrin pjesë edhe tre skuadra të tjera e më konkretisht Kosova U-16, Mali i Zi U-16 dhe Kazakistani U-16. Të gjitha ndeshjet e këtij turneu do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Nën drejtimin e trajnerit Agustin Kola, vajzat kuqezi po zhvillojnë sipas programit seancat stërvitore në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ku ekipi është grumbulluar që prej të premtes së kaluar.

Nga 24 vajzat e grumbulluara ka shumë debutuese, mes të cilave është edhe sulmuesja e Tiranës, Klesta Ago, e cila në prononcimin e saj për Fshf.org ndihet e lumtur për ftesën dhe shpreson që me skuadrën të marrë sa më shumë rezultatet të mira në fushën e lojës.

“Është grumbullim im i parë me ekipin Kombëtar dhe jam shumë e lumtur që mora ftesën për të veshur fanellën kuqezi. Shpresojmë të marrim maksimumin nga ndeshjet e turneut dhe t’i fitojmë të treja ndeshjet. Përballë kemi Kosovën, Malin e Zi dhe Kazakistanin, uroj që të tregojmë vlerat tona më të mira në këto sfida. Sigurisht, dëshiroj që ëndrra ime të bëhet realitet dhe një ditë të bëhem pjesë e Kombëtares A të femrave”, – thotë Klesta Ago.

Një tjetër debutuese është edhe mesfushorja e Apolonisë, Xhesika Ndoi, e cila shprehet se ka punuar me shumë përkushtim me qëllim arritjen e synimeve që ia kë vënë vetes dhe uron shumë që me ekipin të marrë rezultate pozitive në turneun UEFA Development.

“Hera e parë dhe për mua që grumbullohem me ekipin Kombëtar U-16, kënaqësia është shumë e madhe për mua. Ndihem shumë mirë me vajzat dhe me stafin teknik. Do të dëshiroja shumë të fitonim tre ndeshjet e turneut dhe të jemi ekipi më i mirë i turneut të UEFA-s. Synimi është që një ditë të luaj me Kombëtaren A. Kam punuar shumë me gjithë zemër e me përkushtim shumë të madh me bindje që një ditë e tillë do të vinte”, tha Ndoi.

Turneu do të nisë më 3 maj, me ndeshjen e parë Shqipëri – Mal i Zi, ndërsa ndeshja e dytë do të jetë ndaj Kosovës më 5 maj. Sfida e tretë dhe e fundit e vajzave kuqezi do të jetë ajo ndaj Kazakistanit më 8 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *