PSG dhe Mançester Junajtid do të përballen mes tyre të mërkurën në mbrëmjë në “Parc des Princes” për një vend në çerekfinalet e Champions Ligës. Ekipi francez është shumë më i avantazhuar, pasi ka fituar ndeshjen e parë në Angli më rezultatin 2-0.
Megjithatë, Tomas Tuhel nuk i zë besë ekipit të Solskjaer, pavarësisht se këta të fundit kanë shumë mungesa dhe u duhet të rikthejnë rezultatin. Në marsin e vitit 2017, PSG ishte pothuajse i kualifikuar. Kishte mposhtur Barcelonën në shtëpi 4-0, por në Katalunjë ndodhi e pabesueshmja.
Mesi me shokë nuk u dorëzuan asnjë moment, fituan 6-1 dhe avancuan më tej, me PSG që u rikthye në Francë totalisht e shkatërruar dhe turpëruar. Trajneri kërkon përqendrim dhe aspak frikë për ndeshjen kundër “Djajve të Kuq”, rikujton eliminimin e dhimbshëm dhe nuk i kursen elozhet për Kilian Mbape, I cili shënoi në kampionat një dygolësh përballë Kaenit dhe po kalon një formë të mrekullueshme.
SITUATA – “Fitorja i bën mirë ambjentit dhe moralit të skuadrës. Kundër Mançester Junajtid është tepër e nevojshme që të luajmë pa frikë, por në të njëjtën kohë nuk duhet të luajmë më siguri të madhe. Duhet të gjejmë një rrugë të mesme. Mos të harrojmë ndeshjen kundër Barcelonës dy vite më parë. Kishim fituar në shtëpi 4-0, por u mposhtëm në Spanjë me rezultatin 6-1.”
MBAPE – “Kilian është një sulmues i vërtetë. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe duhet të jetë finalizuesi ynë. Ka gjithmonë urinë dhe sigurinë e golit. Fitorja kundër Kaenit është mënyra më e mirë për të përgatitur duelin e Champions Ligës.”