Një histori e çuditshme, që ende nuk ka shpjegim: Tomas Tuhel nuk është më trajner i Borusias së Dortmundit, një marrëdhënie e ndërprerë pak ditë pas triumfit në Kupën e Gjermanisë.
Prej dy vitesh në drejtim, Tuhel kishte vazhduar punën e nisur nga Jyrgen Klop, duke e rinuar edhe më shumë skuadrën, që është ndër më të bukurat dhe me moshën mesatare më të ulët në Europë, ndër kampionatet e mëdhenj.
Vetëm një kupë, por në një kampionat ku është përbindëshi Bajern, ndaj nuk duket kjo arsyeja reale e largimit të tij, aq më shumë që Tuhel është trajneri me mesataren më të lartë të pikëve në historinë e Dortmundit.
Në fakt, Tuhel ka pasur një debat të ashpër me drejtuesit e klubit që para ndeshjes së vajtjes kundër Monakos: kur autobusi i Dortmundit u sulmua me eksploziv dhe iu rrezikua jeta sidomos spanjollit Bartra, drejtuesit e Dortmundit ranë dakord që ndeshja të luhej 24 orë më pas, vendim që nervozoi pa masë trajnerin, i cili mendonte se skuadra nuk ishte gati mendërisht, për të zbritur në fushë në atë gjendje terrori.
Ndoshta ajo ka qenë arsyeja e madhe e ndarjes, ose ndoshta në Dortmund duan dikë që të jetë në nivelin e Jyrgen Klopit, ende i paharruar për tifozët.
Në Twitter Tuhel ka postuar një mesazh të shkurtër: “Falënderoj të gjithë për këta dy vite shumë të bukur e plot emocione. Mëkat që nuk i dhamë vazhdimësi. Falënderoj skuadrën, tifozët dhe të gjithë ata që na kanë mbështetur. I uroj Borusias gjithë të mirat”.