Trepça ’89 gjen klubin që u formua në muajin e Pavarësisë së Kosovës!

0

 

Në shkurt të vitit 2008, teksa në Kosovë festohej për shkëputjen nga tutela e Serbisë, thuajse 4000 kilometra larg krijohej Vikingur Gëta, kundërshtari në turin e parë eliminator të Champions. Mish balene, stuhi detare, pak diell dhe asnjë pemë. Në zbulim të 18 ishujve

Speciale nga Anton Cicani

Sa e çuditshme është rastësia… Thonë që gjërat nuk ndodhin pa ndonjë shkak ose pasojë. Janë një sinjal se ndoshta ashtu duhet të ishte, ose ashtu duhet të shkonte. Dhe, teksa më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova do të shpallte Pavarësinë e saj për një lufte të përgjakshme për të siguruar lirinë dhe për t’u shkëputur nga tutela e Serbisë, thuajse 2 javë më parë, më 4 shkurt 2008, plot 3780 kilometra larg, në një vend të përbërë nga 18 ishujt të ndarë mes tyre, por të bashkuar nga e njëjta gjuhë, zakon dhe kulturë, do të lindte Vikingur Gëta.

Në fakt, Vikingur ishte në fazë embrionale, por përfaqësohej nga dy skuadra, GI Gëta dhe Lervik IF. Shkrirja e tyre solli një emër të vetëm dhe futbollistët më të mirë të njërës skuadër dhe tjetrës, do të përfaqësonin vetëm një klub. Dhe, më 31 mars 2008, Vikingur do të debutonte në Formuladeildin. Shumë emër i gjatë për t’u prononcuar? Jo edhe aq, për njerëzit atje, ata që në një anë e quajnë veten vikingë, por në tjetrën preferojnë edhe currlen dhe uiskin skocez, birrat angleze, por edhe ftohtësinë nordike… Është emri i kampionatit elitar të Ishujve Faroer, skuadrat e të cilës morën pjesë për të parën herë në kompeticionet evropiane në vitin 1992.  Ju do të thoni, çlidhje ka Vikinguri me Pavarësinë e Kosovës? Ndoshta s’ka, ndoshta ka…

Ngjitja e shpejtë – Fakti është që Trepça ’89 do të përballet pikërisht me surprizën më të madhe të Ishujve Faroer, që në sezonin e parë arriti të shkonte deri në vend të pestë në renditjen me 10 skuadra. Por, vetëm 1 vit më pas, e ndreqi këtë renditje duke u ngjitur në vend të tretë hde mundur në finalen e kupës kombëtare duke mundur në finale EB Strejmurper me rezultatin 3-2. Pikërisht me këtë fitore në kupë arriti të merrte pjesë në turin e dytë paraliminator në Europa League dhe në Superkupën e Ishujve Faroer. Në Superkupë u mund nga Torshavn, ndërsa në Europë gjeti Beshiktashin duke marrë një 3-0 jashtë fushe, në stadiumin “BJK” të Stambolit, dhe 0-4 përpara spektatorëve. Nëse të bie rruga të hysh në klubin e Vikingurit, mund të gjesh pesë kupa dhe tre Superkupa, përveç se titullin e magjishëm. Atë të fundit, duke mundur kështu hegjemoninë e Torshavn & Co…

Erë, mish balene dhe patate –  E ndërsa në pjesën më të madhe të Europës ka nisur vera dhe njerëzit lëvizin me mëngë të shkurtra, duke planifikuar plazhin, pranë Polit të Veriut, mes Britanisë së Madhe dhe Islandës, 18 ishujt e vegjël që formojnë një shtet të quajtur Ishujt Faroer, jetojnë mes erës, mishit të balenës dhe patatave. Eshtë kjo formula fituese. Edhe e një fshati të quajtur Gëta dhe që ka vetëm 550 banorë. Aq mjafton që komuniteti të jetojë i qetë. Edhe pse, kanë një kërkesë, nga ato anë: a mund të na jepni hua pak diell?! Faleminderit. Natët janë më të gjata se sa ditët edhe pse mesnata, në qershor, është diçka fantastike.

Atëherë kur kudo në Europë është natë, në Ishujt Faroer mund të mos ndezësh dritat, fundja sheh gjithçka… Kujdes nga era, që në të shumtë kthehet në stuhi detare. Aq sa, shpesh ndeshjesh anulohen pasi rreziku është tepër i madh për spektatorët. A po, edhe diçka tjetër: mungojnë pemët. “Pamja që gjeta kur mbërrita këtu ishte e jashtëzakonshme. Atë që kisha menduar gjithmonë teska vizatoja i vogël: pra, male e fusha, por edhe det, e gjeta këtu”, do të theksonte ish-futbollisti i Udinezes, Ervrard Ble, që sot vesh fanellën e Giza Hoivik.

Dy punë –  E ndërsa në Kosovë janë të kënaqur me rrogën e ulët që fitojnë në klubet e ndryshme: mesatarisht te 2000 euro në sezon, në Ishujt Faroer, të huajt paguhen rreth 1800 euro, por nuk kënaqen me kaq. Shumica prej tyre bën edhe diçka tjetër, në shërbim të komunitetit. Ndërsa, vendësit janë mësues, apo edhe peshkatarë. “Sepse, fundja, këtu në ishull s’mund të jesh vetëm futbollist dhe të rendësh pas një topi”, do të shpreheshin pas një sondazhi të bërë…

Kërkohet identiteti –  Por, ajo që  e dallon nga Kosova është edhe diçka tepër e rëndësishme. Ishujt Faroer nuk përbëjnë një shtet të pavarur, por bëjnë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, edhe pse jetojnë një farë autonomie në të gjitha çështjet politike të brendshme, ndërsa për atë të huaj duhet të pyesin Kopenhagenin, edhe pse kohët e fundit janë duke luftuar për t’u shkëputur. Pikërisht Trepça ’89 mund të jetë frymëzimi, ashtu sikurse Kosova…

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.