Njeriu që ekzekutoi Bajernin e Mynihut ka një emër dhe një fytyrë: ai është Dodi Lukebakio Ngandoli. I lindur në vitin 1997, me origjinë belge, por me pasaportë të Republikës Demokratike të Kongos. Ai u bë lojtari i parë që shënon tre gola në portën e bavarezëve pas 17 vjetëve (i fundit që e kishte realizuar diçka të tillë ishte Ebe Sand i Shalkes).
Aspak keq për një lojtar vetëm 21-vjeçar, i cili luan me Fortuna Dyseldorf. Me tre golat e tij, Lukebakio rikuperoi dy golat e Myler dhe atë të Sules, duke i dhuruar skuadrës së tij një pikë shumë të rëndësishme në “Alianz Arena”. Pas asaj paraqitje, e gjithë vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te talenti i sulmit.
Edhe pse ka luajtur me ekipet e moshave të Belgjikës, ai zgjodhi të përfaqësojë Kongon në arenën ndërkombëtare. Teknikë dhe shpejtësi, që e bëjnë mjaft të rrezikshëm në driblime dhe në luftën një kundër një. Tashmë luan në Bundesligën gjermane, por është rritur në akademinë e Anderlehtit.
Pikërisht aty ra në sytë e vëzhguesve të klubeve të mëdha, pasi me skuadrën mbretërore belge arriti edhe gjysmëfinalet e “Youth League 2015”. Në ekipin e parë debutoi kur ishte vetëm 18-vjeçar dhe më pas u huazua te Tuluza dhe Çarleroi, përpara se të shitej për 5 milionë euro te Uotford, skuadër që aktualisht zotëron kartonin e tij.
Në të kaluarën, për Lukebakion ishte interesuar Spal-i, ndërsa kur ishte pjesë e Anderlehtit kishte tërhequr edhe vëmendjen e Interit. Me pak fjalë, djaloshi që mahniti Europën me tre golat e tij ndaj Bajernit, ishte një talent i cili kishte nevojë për besim dhe hapësira. Një yll në rritje, që nuk ka aspak ndërmend të ndalojë.