Transfertat dhe Rexhinaldo, “armët” e forta të Laçit

Kurbinasit kanë po aq fitore jashtë fushe sa Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani. Sulmuesi i ardhur nga Luftëtari i shërben shumë ekipit

Fitorja në stadiumin e Vlorës ishte e katërta për skuadrën e drejtuar nga trajneri Gentian Mezani jashtë fushe. Në 15 javë kampionat, për një skuadër të re si Laçi, 4 fitore në transfertë janë shumë. Të njëjtin numër fitoresh jashtë kanë edhe Skënderbeu kryesues dhe Kukësi i vendit të dytë, kështu që kurbinasit e meritojnë plotësisht vendin e 4-t, që mbajnë aktualisht në tabelën e renditjes. Në futbollin shqiptar është shumë e vështirë të marrësh pikë jashtë fushe, edhe pse ky kampionat në fakt duket se bën përjashtim. Laçi befasoi me fitoren në fushën e Partizanit, por të njëjtën gjë ka bërë edhe në fushën e Lushnjës, Vllaznisë dhe së fundi Flamurtarit. Një tregues i qartë ky se kemi të bëjmë me një skuadër mjaft solide, që mbrohet fort dhe arrin të shënojë rregullisht. Nëse kemi parasysh faktin se pjesa dërrmuese e lojtarëve janë të rinj në moshë, atëherë i takon që stafi teknik ka bërë një punë shumë të mirë.

REXHINALDO – Një nga goditjet më të mira të merkatos së Laçit është sulmuesi nga Mozambiku, Rexhinaldo, autor i 6 golave deri tani. Te Luftëtari po e “qajnë” ende sulmuesin, sepse ai është një lojtar që e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar dhe vlerat që tregoi sezonin e kaluar me gjirokastritët, po i tregon edhe tani me kurbinasit. Në disa ndeshje ka munguar, pasi kur u bashkua me Laçin nuk kishte gjendjen e duhur fizike. Por që kur ai është aktivizuar titullar, skuadra ka funksionuar më mirë dhe rezultatet kanë “firmën” e sulmuesit, i cili ka shënuar gola mjaft të rëndësishëm, i fundit në Vlorë me 11-metërsh. Rexhinaldo është një nga lojtarët e huaj më të mirë në këtë moment në kampionat dhe me të në krye Laçi po ecën drejt Kupave të Europës, edhe pse është ende herët për të folur për këtë objektiv. Kurbinasit mbajnë vendin e katërt dhe janë kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, kështu që shanset për të luajtur në Europë i kanë. Trajneri Mezani ka ditur të ndërtojë strategjinë e duhur për të përballuar çdo kundërshtar në kampionat, madje edhe pretendentët për titullin kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online