Emiljano Vila do të jetë pjesë e Kërkyrës në Greqi, ndërkohë që ka thënë edhe fjalët e para pas transferimit. Mesfushori tregon se ka qenë trajneri që ka këmbëngulur ta ketë në ekip. Projekti ka qenë ai që ka ndikuar që mesfushori të thotë.
Vila ka sqaruar se nuk është larguar nga Skënderbeu për shkak të probleme që ka, teksa në “Supersport” ka treguar se me presidentin Ardjan Takaj ka pasur një marrëveshjë për të ikur nëse do t’i vinte një ofertë nga jashtë vendit.
TRANSFERIMI NË GREQI – “Jam shumë i lumtur që kjo tratativë u mbyll me sukses, duke e ditur që më kanë ofruar një kontratë afatgjatë. Për mua është një mundësi shumë e mirë. Futbolli në Greqi është i vështirë, por unë kam luajtur edhe më parë te Pas Janina. Ekipi ka bërë hapa të mirë për t’u ngjitur në Superligë. Më pëlqeu projekti dhe do të bëj më të mirën për ta ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit. Shpresoj të kthehem në formën më të mirë, ai Vila që luante disa vite më parë në Greqi”.
KËMBËNGULJA E TRAJNERIT – Dimitrios Spanos ka qenë ai që e ka dashur në ekip durrsakun: “Më panë pritur shumë mirë, trajneri është shumë i kënaqur, është ai që ka kthyer Arisin në Superligë. Ai më njeh shumë mirë dhe ka këmbëngulur shumë që unë të vijë këtu. Jam 30 vjeç, në kulmin e formës time, dhe shpresoj që Korfuzi të jetë trampolinë për të luajtur në një skuadër më të madhe”.
LARGIMI NGA SKËNDERBEU– Vila ka theksuar se nuk i ka braktisur bardhekuqtë: “Kam dëgjuar zëra që Vila e braktisi Skënderbeun para ndeshjes me Partizanin. Por kjo nuk është e vërtetë, unë kisha rënë dakord me presidentin Takaj që nëse do të më vinte oferta e duhur do të largohesha. Kampionatin shqiptar e parashikoj shumë të fortë, janë 3-4 skuadra që pretendojnë për titullin kampion”.