Vdekja e futbollistit argjentinas Emiliano Sala vetëm 2 ditë pas firmës për transferim nga Nanta te Kardifi ka futur në konflikt dy klubet, që pas vajtimit për sulmuesin 28-vjeçar, kanë nisur betejën ligjore.
Kardifi duhet t’i paguajë Nantës 15 milionë sterlina, sipas marrëveshjes, por për momentin gjithçka ka mbetur pezull.
Klubi uellsian duhej të depozitonte këstin e parë të pagesës, prej 6 milionë eurosh, deri sot, por klubet kanë rënë dakord që të ketë një javë shtyrje të transaksioneve bankare.
Avokatët e Nantës i kërkuan Kardifit që të fillonte shlyerjen e pagesës për sulmuesin e pafat, i cili humbi jetën në aksident ajror, në një kohë që transferimi i tij ishte kompletuar në aspektin juridik.
Megjithatë, Kardifi e ka bërë të qartë që kërkon të presë përfundimin e hetimeve për rënien e avionit dhe gjithashtu po studion për “anomali” në detajet e kontratës.
Situata është e ndërlikuar, edhe për faktin se gjysma e pagesës për sulmuesin e takon Bordosë, për shkak të një klauzole kur Sala kaloi te Nanta në vitin 2015.
Nëse edhe pas një jave nuk ka marrëveshje, gjithçka do të kalojë në zyrat e FIFA-s, ose do të shkojë direkt në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).