Transferimi absurd i Stepanovs, Arsenali e bleu sepse Venger nuk e kuptoi shakanë

Mendoni se në nivelet më të larta të futbollit nuk bëhen gafa? Gabim, ndodh shpesh që të dalin në dritë histori të çuditshme, qesharake, që tregojnë se edhe klubet e mëdhenj shpesh ia futin kot, edhe me merkaton.

Shpesh themi “si ka mundësi ky futbollist i mbaruar luan me këtë ekip të madh?”. Ja, një përgjigje vjen nga Anglia, sepse në vazhdim po iu tregojmë historinë e mbrojtësit letonez Igors Stepanovs i cili në vitin 2000 shkoi tek Arsenali dhe tashmë është një mit, sepse është mbreti i dështimeve në merkato për “Topçinjtë”.

Por, si ka mundësi që një futbollist i nivelit mesatar që askush nuk ia mban mend emrin (dhe mirë bën) të përfundojë tek Arsenali, me një trajner gjeni si Arsen Venger? Në fakt, pyetja e parë që duhet bërë është: si dreqin përfundoi Stepanovs në provë tek Arsenali? Misteret e njerëzimit! Letonezi ishte 24 vjeç, vinte nga 6 tituj kampionë rresht me Skonto Rigën dhe ishte titullar fiks i Letonisë, një kombëtare që në fakt si nivel është më afër fundit të renditjes botërore, sesa kreut.

Qendërmbrojtësi 1.92 i gjatë arriti të firmoste për 4 vite me Arsenalin, klub gjigant, që luante çdo vit për titull në Angli e synonte sukses edhe në Champions League. Por çfarë ndodhi realisht? E zbulon në autobiografinë e vet mesfushori i famshëm i Arsenalit në atë kohë, Rej Parlur, 15 sezone si “Topçi”.

Parlur tregon se në atë kohë dyshja e qendrës së mbrojtjes përbëhej nga Toni Adams dhe Martin Kioun, emra të mëdhenj, profesorë të mbrojtjes, por edhe pranë fundit të karrierës, ndaj Venger po u kërkonte ndonjë alternativë.

Martin Kioun kishte një difekt: sa herë vihej në diskutim dhe klubi afronte ndonjë mbrojtjes tjetër, ai tërbohej dhe e vuante shumë.

Kur Igors Stepanovs shkoi në provë tek Arsenali, Kioun e pa shtrembër, ndërsa shokët e skuadrës e kuptuan dhe Parlur, Denis Bergkamp dhe disa nga senatorët e skuadrës vendosën t’i punonin një rreng, që në fakt pati pasoja.

Nisi ndeshja stërvitore ku do provohej Stepanovs dhe menjëherë filluan britmat dhe lëvdatat. “Goditje fantastike”, bërtiste Bergkamp, i ulur në stol pranë Vengerit, “sparkatë e pabesueshme, bravo”, buçiste Parlur në fushë, sa herë Stepanovs prekte topin. Në të vërtetë, paraqitja e tij ishte mediokre dhe Martin Kioun, i tërbuar, shpërthente në sharje kur Stepanovs gabonte, por asnjëri nga shokët nuk ia mbante ison, duke vazhduar lojën dhe si me të qeshur e me të ngjeshur, e bënë Stepanovsin të dukej si fenomen.

Në darkë të gjithë për birra dhe për t’u tallur me Kioun, përveç Stepanovsit të varfër, i cili ditën tjetër ishte i pari në stërvitje. “Po ti, ç’dreqin bën këtu?”, e pyeti Parlur, gojëhapur, ndërsa përgjigja ishte nga ato që mbeten në histori: “Më blenë, 4 vite kontratë”.

E pabesueshme. Arsen Venger nuk e kishte pasur mendjen te Stepanovs gjatë ndeshjes stërvitore dhe ishte habitur nga elozhet që i bënin shokët, sidomos Denis Bergkamp, i cili ishte shumë i rëndësishëm për Vengerin dhe nëse ai lavdëronte një lojtar, patjetër që bëhej fjalë për një fenomen.

Rreth 1.35 milionë sterlina Skonto Rigës, kontratë fantastik mbrojtësit, i cili për 3 vjet qëndroi në Londër, më shumë si spektator pa biletë. E nisi me gol në Kupën e Ligës, por më pas vetëm 17 ndeshje në 3 vite dhe paraqitje mediokre, si ajo në vitin 2001, kur Arsenali u mund 6-1 dhe Duajt Jork e bëri lëmsh mbrojtjen e Topçinjve, ku titullar ishte edhe Stepanovs, për shkak të mungesave të shumta.

Në pushim 5-1, Jork pyeste Parlurin: “Po atë mbrojtësin, nga e keni psonisur?”. “Eh, histori e gjatë, lere fare”, përgjigje Parlur, i cili rrëfen se më pas në dhomat e zhveshjes nuk e kishte parë kurrë aq të tërbuar Arsen Vengerin, aq sa i vinte për të qeshur, por nuk guxonte ta bënte.

Aty e tutje Stepanovs nuk luajti më për Arsenalin, por ndërkohë shkoi në Europianin 2004 me Letoninë dhe provoi të luante edhe për disa klube të tjerë të dorës së dytë, apo në Letoni. Një histori e pabesueshme, që ndoshta meriton një film, sepse futbolli është i bukur edhe për histori të tilla…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *