Transferimet e janarit: Partizani ndryshon fytyrë, Flamurtari e Kukësi “top”

0

Skënderbeu i ruan “bombat” për në verë, Luftëtari ndryshime pa fund! Vllaznia ribën mbrojtjen, Laçi e Kamza përforcohen pa zhurmë

Zakonisht merkatoja e janarit konsiderohet “riparimi”. Nuk është e tillë në Shqipëri, sepse klubet tona, shumica e tyre, e shohin janarin si një mundësi për të ndryshuar thuajse gjysmë skuadre. Pritej me kuriozitet të madh cilin do të shiste Skënderbeu, mbreti i transferimeve në Shqipëri, por korçarët nuk kanë shitur ende askënd (por nuk ka mbaruar ende merkatoja dimërore në disa vende). Blerja e Kristal Abazajt për në verë, gjithnjë nëse nuk do të vijë ndonjë ofertë e pabesueshme nga jashtë ndërkohë, është një nga ato që spostojnë ekuilibrat e sezonit, imagjinoni nëse shkon edhe Dejvi Bregu, i cili e ka një marrëveshje me Skënderbeun. Merkato e mirë, nëse llogaritet që nuk është larguar asnjë emër i rëndësishëm dhe u prish kontrata e Neshporit, një barrë e rëndë financiare, ndërkohë që afrimet janë mjaft interesante.

Flamurtari, që duket edhe kërcënimi i madh për Skënderbeun në garën për titull, ka përforcuar ndjeshëm sulmin. Katër afrime, dy prej tyre sulmues të vërtetë dhe qershia mbi tortë, Muarem Muarem. Ky është lojtari që mund të bëjë diferencën te Flamurtari, që deri tani ka qenë perfekt në prapavijë, por u duhet një lidhje mes mesfushës e sulmit. Tunkara është një nga ato “bomba” që nuk dihet a do shpërthejnë, sepse deri në mesin e muajit maj nuk është se ka shumë kohë ambientimi dhe konkurrenca është e madhe në sulm.

Kukësi ka ndryshuar në mënyrë të pabesueshme brenda një muaji. Trajner e drejtor sportiv, afrime të zgjuara dhe entuziazëm i rigjetur. Shkodra është kthyer që tani në lojtar kyç, Zhderiç e Dzaria janë shumë interesantë dhe nëse Amido Balde kthehet në nivelet e tij më të larta, Kukësi bëhet i frikshëm edhe për Skënderbeun.

Laçi e Kamza po sillen si nëndetëse. Pikët i kanë, lojën po e po, këtë janar kanë bërë disa goditje mjaft cilësore, pa e ndryshuar shumë formacionin bazë, me Laçin që ka ruajtur gjithë titullarët dhe Kamzën që ka humbur vetëm kroatin Fushtar dhe ka lënë të lirë portierin Halilaj, ndërsa ka afruar lojtarë shumë interesantë, si Zguro e Fili.

Partizani është një enigmë e madhe. Pasi e bëri shtëpinë thuajse nga e para verën e shkuar, u pendua dhe e ribëri këtë janar. Zgjedhja për të larguar disa emra të rëndësishëm dhe afrimi i shumë lojtarëve njëherësh është e rrezikshme, kostoja financiare po ashtu, tashmë presioni është edhe më i madh se më parë. Dy humbje rresht ndaj Flamurtarit, asnjë gol i shënuar, por nuk është ndonjë surprizë. Partizani nuk ka sulmues, nuk duhet ta harrojmë, për sa kohë Çani nuk është ai i vërteti.

Luftëtari është një rast i veçantë, sepse mahniti në dhjetor, por sërish ka bërë lëvizje pa fund këtë janar. Nevoja për përforcime ishte qartësisht e nevojshme, largimet kanë qenë të detyruara në disa raste, ku befasia e vetme ka qenë largimi i Vangjel Zguros, titullar në vitin 2017 te gjirokastritët. Fillimi me triumf ndaj Skënderbeut konfirmoi se klubi ka punuar shumë mirë, përtej humbjes në kupë.

Vllaznia ka ribërë mbrojtjen, me emra mjaft cilësorë në letër, ka marrë edhe Sukajn. Koha është problem madhor për ambientimin, pikët janë “shpata e Damokleut”. Nëse vijnë shpejt 2-3 fitore rresht, Vllaznia kthehet në zonën e qetësisë, sepse skuadra është më cilësore se në pjesën e parë të sezonit.

Nuk mund të thuhet ndonjë gjë e mirë për Teutën e Lushnjën. Për Teutën fjalët e Stavri Nicës flasin vetë, sepse merkatoja e klubit durrsak ka qenë zhgënjyese dhe nëse luan në Superiore pa sulmues, luan me zjarrin. E djegur është Lushnja, këtu nuk ka nevojë për koment. Nuk është faji i saj, në Superiore duhen financa të fuqishme dhe jo vetëm kaq.

Transferimet e merkatos së dimrit

 

Skënderbeu

Afrime: Kristal Abazaj (Luftëtari), Blerim Krasniqi (Apolonia), Emiljano Vila (Partizani), Kaba Sambou (i lirë)

Largime: Donjet Shkodra (Kukësi), Bruno Lulaj (Laçi, huazim), Martin Neshpor (Zaglebie, fund huazimi), Shend Kelmendi (Trepça ’89, huazim), Argjend Malaj (Kamza, huazim)

 

Flamurtari

Afrime: Igor Nedeljkoviç (Hong Kong Pegasus), Muarem Muarem (Aktobe), Argjend Gafuri (Renova), Fisnik Zuka (Shkupi), Mamadu Tunkara (Lacio, huazim)

Largime: Ivan Jakovljeviç (Luftëtari), Ergis Mersini (Vllaznia), Haxhi Neziraj (Drita e Gjilanit), Ibrahima Tungara (Liria e Prizrenit, huazim), Lejdi Liçaj (Luftëtari), Argjend Gafuri (Renova, huazim), Xhuljo Tushi (Bylis, huazim)

 

Kukësi

Afrime: Peter Pakult (trajner), Donjet Shkodra (Skënderbeu), Maldin Ymeraj (Akropolis, Suedi), Irakli Dzaria (Dila Gori, Gjeorgji), Filip Zhderiç (Gaz Metan), Lavdrim Ebipi (Oldenburg), Amido Balde (Maritimo)

Largime: Ndriçim Shtubina (Laçi), Rexhep Memini (Trepça ’89), Rauf Alijev, Hair Zeqiri, Milosh Kërkotiç?

 

Laçi

Afrime: Ndriçim Shtubina (Kukësi), Bruno Lulaj (Skënderbeu, huazim), Silvio Zogaj (Luftëtari), Arbër Beqaj (Teuta), Erjon Dragoj (Pogradeci), Denis Miloti (Vllaznia)

Largime: Ademir Souza, Idriz Mbombo (Al Shabab, fund huazimi), Efijong Ejoh, Serxho Ujka dhe Erisildo Smaçi (Shënkolli, huazim).

 

Kamza

Afrime: Ilir Avdyli (Shkëndija e Tetovës), Alken Agalliu (Turbina), Arbër Basha (Vllaznia e Pozheranit), Vangjel Zguro (Luftëtari), Igor Çukoviç (Elverum, Norvegji), Realdo Fili (Partizani), Argjend Malaj (Skënderbeu, huazim)

Largime: Argent Halilaj, Mërgim Neziri, Argjend Mustafa (Vushtrria), Ivan Fushtar (Al Arabi), Hasan Hatsukov, Denis Peposhi (Drenica)

 

Partizani

Afrime: Bruno Telushi (Slaven Belupo), Esat Mala (KF Ballkan), Egzon Belica (pa ekip), Lukas Kardozo (Pelisteri), Emran Ramadani (Renova), Renato Gojkoviç (Iskra), Senad Hysenaj (Vllaznia B), Milan Çulum (Slloboda Tuzla), Besart Abdurrahimi (Shkëndija e Tetovës)

Largime: Xhovani La Kamera, Erik Herrera, Milan Basrak, Romeo Shahinas, Andrea Selvaxhio, Xhevahir Sukaj (Vllaznia), Emiliano Vila (Skënderbeu), Mustafa Xhixhiua (Erzeni), Gëzim Krasniqi (Rabotniçki), Renato Malota (Vllaznia), Realdo Fili (Kamza), Kristian Adorjan (Novara, fund huazimi)

 

Luftëtari

Afrime: Vasil Shkurtaj, David Bocaj (Flamurtari, huazim), Keidi Balla, Marko Aurelio (Aris Limasol), Ivan Jakovljeviç (Flamurtari), Xhekson Ferreira (Aititos Spaton), Lejdi Liçaj (Flamurtari), Kristos Athanasopulos (Trikalla), Adnand Shkurtaj, Aurel Demo (Panegialios), Kristo Minga (Trikala)

Largime: Silvio Zogaj (Laçi), Fabricio Nunies, Fakundo Nasif, Kristal Abazaj (Skënderbeu, në fund të sezonit), Brixhild Brahimaj, Mikel Hoxha (Besa, huazim), Vangjel Zguro (Kamza), Leonard Përgjini (Lushnja), Valdo Zeqaj (Flamurtari i Prishtinës)

 

Teuta

Afrime: Stavri Nica (trajner), Bojan Gjorgievski (Maçva Shabac), Amir Bilali (Rabotniçki), Ardian Krasniqi, Sheik Tidiane Tambade, Burhan Mustafov (Pobeda), Arsid Kruja (Vllaznia), Masahudu Alhasan (pa ekip), Hugo De Marki (Aprilia, Seria D italiane)

Largime: Nijas Lena, Abe Oluasina, Onieka Osemene, Ardit Shehaj, Arbër Beqaj (Laçi), Albi Dosti, Arsen Sykaj (Drenica)

 

Vllaznia

Afrime: Xhevahir Sukaj (Partizani), Sedat Berisha (Shkupi), Ergis Mersini (Flamurtari), Renato Malota (Partizani)

Largime: Edon Hasani (Sepahan), Arsid Kruja (Teuta), Çarls Atsina, Denis Miloti (Laçi)

 

Lushnja

Afrime: Leonard Përgjini (Luftëtari), Hasan Hatsukov (Kamza), Aiden Çela (Partizani), Griseld Dervishi

Largime: Hermes Shkullaku, Aldo  Vodo, Aldo Malaj

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.