Kamer Qaka ishte një nga emrat që surprizoi më tepër në listën e zgjedhur nga Kristian Panucci në kohën kur ky i fundit ishte në stolin kuqezi. Mesfushori shqiptar në atë kohë aktivizohej në elitën e Norvegjisë dhe do të bënte debutimin e tij të parë me fanellën e Kombëtares sonë në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve kundër Turqisë. Një lojtar që shihej shumë premtues, ndërsa kalimi te Steaua e Bukureshtit u duk të ishte hapi i duhur për të katapultuar më pas në kampionatet më të forta europiane.
Megjithatë gjërat nuk shkuan në mënyrën më të mirë për të, teksa problemet e ndoqën dhe tashëm e gjen veten te Craiova në Rumani. Por e ardhmja e tij mund të jetë larg këtij vendi dhe këtë e konfirmon edhe menaxheri i tij, Aleksander Garini. Në një intervistë me “Tuttomercatoweb“ ky i fundit pohon se në janar ishte një tjetër trajner që ka provuar të jetë në pankinën e kuqezinjve, Paolo Tramezani, e kërkonte Qakën te Livorno. Gjithsesi Garini shprehet se vera e ardhshme do të jetë e duhura për shqiptarin të shkojë drejt Italisë.
“Qaka ishte një hap larg Livornos në janar? Është e vërtetë. Trajneri Tramezani e pëlqente vërtetë shumë. Ai tani është te Craiova. Shpresoj që vera e ardhshme të jetë e duhura për të arritur në Itali“, është shprehur menaxheri i Kamer Qakës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
E para kur u thirr në kombëtare luante në Rumani (Politehnica Iasi) dhe ndeshja me Turqinë ku luajti Qaka ishte miqësore në nëntor 2017 sepse në ligën e kombeve kishim në grup Izraelin dhe Skocinë .