Tramexani u kontaktua, por është herët për kombëtare!

Alban Bushi mbetet kandidati kryesor, teksa Bogdani pritet të gradohet te Shpresat, duke lënë vakant vendin e U-19. Megjithatë, Duka mund të ndërrojë mendje, edhe pse duket e vështirë

Nga Anton Cicani

Edhe pse presidenti Armand Duka, në diskutimin e tij ka shprehur hapur se do t’i pëlqente që vendin e Xhani de Biazit ta merrte Paolo Tramexani, kjo s’do të ndodhë. Sigurisht, presidenti i federatës është i lidhur shumë me ish-trajneri i Luganos  dhe janë ndarë shumë miqësisht, duke premtuar se një ditë do të bashkohen, por ajo ditë ende s’ka ardhur dhe s’do të vijë shumë shpejt. Numri “1” i futbollit, në fakt, përpara disa kohësh, ka pasur kontakte, por thjesht miqësore, me Paolon, teksa ky i fundit ka lënë për të kuptuar se e ardhmja lidhet kryesisht me klubet. Tramexani, që kombëtaren kuqezi e njeh në majën e gishtave dhe ka bërë në thuajse pesë vjet më shumë se 200 udhëtime me avion, do të ishte ideali për të nisur një cikël të ri, por për të kombëtarja është një etapë tjetër e jetës. Sepse, tashmë në mendjen dhe ambiciet e ish-futbollistit të Interit është klubi.

Sioni – Tramexani ka gjetur paraprakisht akordin me Sionin, atë ekonomik, duke firmosur, Objektivi i presidentit Konstantin është të afrohet më shumë me Jang Bojsin, skuadra e vendit të dytë, pasi Bazeli është kthyer në një hegjemoni, por duhen lojtarët cilësorë. Dhe, lista e Tramexanit është thuajse e plotësuar. “Do të doja që një ditë të stërvisja Shqipërinë, pse jo”, pati thënë Paolo në një nga intervistat e fundit me “Sport Ekspres”, por për atë ditë duhet të presim.

Bushi – Kështu, kandidati më serioz dhe favor për të marrë stolin e De Biazit, ashtu si edhe ka shkruar “Sport Ekspres” vazhdimisht është Alban Bushi, që për katër vjet ka qenë menaxher i De Biazit dhe ka mësuar shumë. Edhe pse drejton U-21, megjithatë, kauza kuqezi është më e rëndësishme. Presidenti dëshiron t’i japë një shans për katër ndeshjet e mbetura. Sakaq, edhe Bogdani mund të promovohet si trajner i kombëtares U-21, duke qenë se “Eri” ka treguar vlerat e tij.  E gjithë ideja e Dukës është që të mos shpenzojë një rrogë më kot për një trajner për katër ndeshjet e mbetura, le të themi 3, pasi me Lihtenshtejnin në Shqipëri s’mund të quhet. Mbetet Maqedonia jashtë fushe dhe dy përballjet e prestigjit, ku edhe nëse marrim Guardiolën shanset tona janë thuajse të barabarta me zero (Spanjë dhe Itali).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *