29 vjeç, një garanci në mbrojtje dhe shumë eksperiencë në futbollin shqiptar. Ditmar Bicaj ishte një prej goditjeve më të bujshme të merkatos së Teutës gjatë kësaj vere, përkrah portierit Isli Hidi dhe mbrojtësit tjetër Tefik Osmani.
Pas largimit nga Flamurtari, mbrojtësi u bind t’i bashkohej Teutës, për arsye të cilat i tregoi në intervistën për “Super Sport”. Nga telefonata e trajenrit Bledi Shkëmbi, për të vazhduar me projektin ambicioz dhe synimin për ta ngritur skuadrën në zonën e kupave të Europës.
TRAJNERI – “Normalisht që ishte një telefonatë e tashmë profesorit tim, Shkëmbit, që më bindi. Duke parë edhe ambientin këtu, por edhe dëshirën për të bashkëpunuar me ta, nuk ngurrova të vija te Teuta”.
EKIPI – “Skuadra ka shumë lojtarë të rinj, por cilësorë. Me afrimin e Osmanit, por edhe të Hidit, besoj se do të alternohen mirë freskia me eksperiencën. Do jetë diçka e bukur besoj, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë sa më shumë, që Teuta këtë vit të jetë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar.
SYNIMET – “Nuk është se kemi ndonjë objektiv konkret nga klubi, por duke parë përbërjen që disponojmë në ekip, them se do jemi në 4 vendet e para dhe besoj se do të ishte shumë bukur të dilnim në Europë”.