Shamrock Rovers ka arritur që të kalojë më tej pasi e mundi Teutën në të dy takimet. Ndeshja e parë përfundoi në shifrat 1-0 për ekipin irlandez, ndërsa edhe në përballjen e kthimit erdhi fitorja 0-2. Trajneri i Shamrock, Bradley, ka treguar edhe mënyrën sesi është arritur që të t’ia dilet kundër durrsakëve. Në ndeshjen e kthimit ishte forca e mentalitetit që nuk e vendosi në diskutim historinë e kualifikimit.
“Ne menduam që duhej të shkonim në Shqipëri dhe t’i sulmonim sikur të ishim 1-0 duke humbur ne, jo sikur të kishim fituar me ato shifra. U futëm me atë mentalitet dhe kjo i shkaktoi pak befasi Teutës. Ata dolën dhe luajtën në mënyrën e tyre, ne mund t’i shënonim edhe disa gola të tjerë. Por unë jam i kënaqur për fitoren dhe për shkakun se nuk pësuam asnjë gol. Ishte paraqitje e mirë, e kemi menaxhuar gjithçka mirë. I kemi kufizuar ata vetëm me goditjet nga distanca. Kushtet ishin të vështira me temperaturë mbi 30 gradë. Prandaj lojtarët ishin të shkëlqyer për atë që arritën”, tha Bradley. /Sport Ekspres/