Skuadra e Apolonisë është në pikën kulmore sa i përket kontakteve për vendosjen e trajnerit të ri. Gjatë javës së kaluar, drejtori i klubit, Olsi Bregu deklaroi për SportEkspres.com se zëvendësuesi i Gentjan Stojkut do jetë një trajner shqiptar dhe se ai do të vendoset brenda javës së ardhshme.
Artan Mërgjyshi është një nga kandidaturat e përfolura. Në komunikimin me SportEkspres.com, ai deklaron se ende nuk ka zyrtarizim për kalimin e tij në stolin e Apolonisë. “Në datën 20 qershor vendoset”, ishte kjo sms-ja e Mergjyshit, duke lënë të kuptohet se mes tyre do të rinisë “dashuria e vjetër”. Tekniku, i cili është aktualisht drejtor teknik i Dinamos, e ka drejtuar Apoloninë në sezonin 2015-2016.
Në karrierën e tij si trajner, Mergjyshi ka drejtuar disa skuadra në Superiore e në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e fundit që ka drejtuar si trajner është Laçi në gjysmën e parë të sezonit 2018-2019. Me kurbinasit ai bëri mjaft mirë, por në fazën e dytë erdhi “divorci” pas dy humbjeve radhazi me Teutën dhe Kukësin.
AGRON KAJA