Armand Duka ka qenë sot në Shkodër, ku ka përuruar një fushë sportive në Kopshtin “Ismet Sali” në fshatin Brucaj. Një bashkëpunim i FSHF-së dhe Fondacionit Lorik Cana. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar i është përgjigjur ftesës së medias për të folur për tematika të ndryshme.
Pasuesi i Kristian Panuçit përbën interes të madh dhe në lidhje me trajnerin e ri të kombëtares Duka tha: “Kam thënë se në prill do të emërohet dhe sot jemi më 12 prill. Muaji nuk ka mbaruar. Besoj se javën tjetër do të kemi caktuar jo vetëm trajnerin, por krejt stafin”. Fokusi më pas ishte te hallet e futbollit tonë.
Vllaznia dhe stadiumi “Loro Boriçi”, një koment edhe për to: “Nuk ka asnjë diskutim se sezonin e ardhshëm Vllaznia do të jetë në Kategorinë Superiore. Ka bërë një kampionat të mirë, pavarësisht se në situatë të jashtëzakonshme për të. Shtëpia e Vllaznisë është në Superiore dhe madje në vende nderi. Unë uroj që edicionin e ardhshëm të jetë në lartësinë e emrit që ka. Shkodra është vendlindja e futbollit shqiptar, ndaj meriton ta ketë Vllazninë sa më lart. Tradita e futbollit këtu është e madhe, në Shkodër ka pothuajse më shumë interes për këtë sport, dalin më shumë talente futbolli se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Stadiumi? Jemi në proces për t’ia dorëzuar bashkisë së qytetit. Punë ditësh dhe kjo stafetë do të jetë kryer”.
DHUNA DHE FUTBOLLI I TAVOLINAVE – “Ju më pyesni se po shohim dhunë fizike edhe mes presidentëve të klubeve, rrugëve, apo ka trajnerë që deklarojnë se rezultatet vendosen në tavolinë… Kjo është garë dhe patjetër që ka emocionet e veta. Gjithsekush është mirë t’i kontrollojë ato, madje t’i shfrytëzojë pozitivisht për të mirën e kësaj loje. Është fundi i një kampionati, të gjithë kërkojnë të marrin maksimumin. Ky maksimum merret përmes lojës, me sa më shumë angazhim, organizim dhe respektim të rregullave”, përfundoi Duka deklaratën e tij.