Trajneri i ri aktivizon kapitenin e Shqipërisë U-21, Milani fiton pastër kundër Leçes dhe ngushton diferencën me Interin

Milani nuk ka gabuar në këtë javë të Serisë A. Kuqezinjtë kanë bërë detyrat duke mundur me shifrat 3-0 Lecen. Goli i parë u shënua nga Pulisic dhe më pas Giroud dyfishoi rezultatin në minutën e 20.

Fitorja për Milanin u bë më e lehtë pasi Krstovic u ndëshkua me karton të kuq te Lecce. Për të mbyllur historinë e takimit mendoi Leao me golin e tretë në të 57. Pas kësaj fitore, kuqezinjtë ngushtojnë diferencën me Interin kryesues në 11 pikë, por me 1 ndeshje më shumë të zhvilluar.

Sa i përket Lecce, nga minuta e parë ishte Ylber Ramadani, që është vlerësuar me notë të lartë në këtë takim. Ndërkohë në mediat italiane ishte thënë prej disa ditësh se trajneri i ri i Lecce e pëlqen shumë kapitenin e Shqipërisë U-21, Medon Berisha. Ky i fundit ishte grumbulluar gjithmonë në ndeshjet e Lecce në Serinë A, por nuk ka pasur thuajse kurrë hapësirë në kohën e D’Aversa. Në ndeshjen e sotme, Berisha është aktivizuar menjëherë nga trajneri i ri Goti që në ndeshjen kundër Milanit, teksa hyri në fushë në minutën e 78. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/