Vllaznia është rikthyer me fytyrën e saj të parë të këtij sezoni dhe që në Shkodër e dashuronin aq shumë. Entuziazmi dhe dëshira e madhe në fytyrat e lojtarëve për të dalë me triumf pas çdo ndeshje ka sjellë edhe përmbysjen e situatës duke dalë nga kriza që e kishte kapluar ekipin deri tani.
Por si po ngrihet Vllaznia? E gjithë merita i takon trajnerit Brdariç pa i hequr asnjë presje edhe djersës së futbollistëve. Ndeshjet e mëdha thuhet se vendosen nga trajnerët, por gjermani kërkon që të jetë protagonist në çdo 90 minutësh.
Goli me kokë i Hoxhajt që eliminoi Laçin në Kupën e Shqipërisë u duk fillimisht se ishte rastësor, por përshëndetja e menjëhershme me trajnerin dëshmoi gjithë punën e bërë në stërvitje. Vetë futbollisti u shpreh se e kishin punuar skemën dhe Brdariç i kishte këshilluar që të sulmonte gjithmonë shtyllën e parë pasi kërcënte më mirë se gjithë të tjerët.
Për të vazhduar në fitoren tenistike kundër Apolonisë në shifrat 0-6. Tre gola që kanë ardhur sërish nga loja e ndaluar, goditje e këndit ose goditje e dënimit. Për më tepër që edhe djalit të trajnerit, Tim Brdaric, do t’i anulohej një gol që do t’i dërgonte në 4 shënimet e ardhura në këtë mënyrë.
E për të vazhduar me ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut, teksa në të dyja golat e shënuara nga Vllaznia ishte e njëjta panoramë. Marku kroson nga goditja e këndit dhe Shehi barazoi menjëherë kundër korçarëve. Goli i dytë do të vinte pas krosimit nga goditja e dënimit dhe Dilaver bëri devijimin e fundit për të sjellë suksesin e radhës. Ky tregues është i qartë se Brdaric e ka gjetur “vaksinën” për mënyrën sesi Vllaznia mund të fitojë edhe nëse goli nuk del nga “loja normale”. /Sport Ekspres/