Trajneri i Bajernit të Mynihut, Niko Kovaç, ka dhënë një intervistë mjaft interesante për mënyrën se si e sheh ai futbollin. Numri një i bavarezëve mendon se tiki-taka nuk ka më aq shumë rëndësi. Shpejtësia në futboll vlen më shumë për teknikun kroat.
“Nëse mungon shpejtësia, zotërimi i topit nuk ka shumë rëndësi në ditët e sotme. Nëse lojtarët lëvizin shumë në fushë me kombinime të pafundme, zotërimi i topit është i rrezikshëm, pasi krijohen hapësia në fushë. Nëse humbet topin rrezikon të zihesh keq në kundërsulm”, – shprehet fillimisht Kovaç.
Ai vazhdon më tej duke mbështetur teorinë e tij. “Ju thoni se i forti ha të dobëtin, në fakt për mua i shpejti ha të ngadaltin. Trendi po shkon drejt lojtarëve që mund të kombinojnë shpejtësinë me aftësitë teknike. Këta lojtarë mund të bëjnë diferencën, pasi arrijnë të krijojnë diçka në hapësira të ngushta. Kalimi i lojës nga mbrojtja në sulm është shumë e varuar nga ritmi”, – u shpreh ai.