Trajneri Çoçlli: Mungesa e stabilitetit po vendos fatin e Superiores

Në emisionin “Kubi Sportiv” ishte i ftuar në një lidhje live trajneri i futbollit Nikolin Çoçlli, i cili analizoi javën e 36 të Superiores dhe garën e fortë që po zhvillohet si në krye të renditjes, ashtu edhe në zonën e rënies nga kategoria.

Diskutimi u fokusua te balanca e kampionatit, rezultatet e papritura në javët e fundit dhe mënyra se si skuadrat po menaxhojnë presionin në këtë fazë vendimtare të sezonit.

Ai vuri theksin te mungesa e vazhdimësisë së disa ekipeve, te ndikimi i formës psikologjike dhe motivimit, si dhe te fakti që ndeshjet e fundit nuk janë domosdoshmërisht të drejta për t’u interpretuar vetëm nga rezultati, por edhe nga konteksti i garës.

 

Çoçlli u ndal te Elbasani duke thënë se është një skuadër me potencial për të shkuar deri në fund ndërsa foli dhe për dështimin e Flamurtarit.

“Ne në javët e fundit nuk jemi të aftë të përcaktojmë se cila skuadër bie dhe cila qëndron, sepse gjithçka është shumë e ngushtë. Problemi kryesor në këtë fazë është menaxhimi i situatës nga skuadrat. Ato që janë në inferioritet kanë më shumë motiv, ndërsa skuadrat që kanë arritur objektivat shpesh ulet ritmi dhe impenjimi, jo se tolerojnë ndeshjet, por sepse bie natyrshëm përqendrimi.

Unë nuk besoj te tolerimet, absolutisht jo, por te ndryshimi i motivimit dhe i gjendjes psikologjike brenda skuadrave. Te disa ekipe si Flamurtari, problemi nuk është çështje parash, sepse të gjitha skuadrat janë të investuara. Problemi është përzgjedhja dhe mënyra si janë shpenzuar këto investime. Nëse nuk zgjedh mirë në treg, mund të harxhosh shumë dhe të mos marrësh cilësinë e duhur, dhe kjo të penalizon në fund. Sa i përket garës për mbijetesë, mendoj se gjithçka është shumë e hapur dhe mund të vendoset në ndeshjet direkte. Por ajo që është e qartë është se mungesa e vazhdimësisë dhe e stabilitetit gjatë sezonit e bën shumë të vështirë që në fund të ruash formën kur të duhet më shumë”, tha ai.