Keq të fitosh e keq të humbësh: në Kosovë na e kalojnë në çdo drejtim, kur bëhet fjalë për seriozitetin me trajnerët dhe projektet e nisur me ta.
Lajmi i publikuar dje në mediat kosovare është konfirmuar sot nga Feronikeli, që njofton se Sulejman Starova është pushuar nga puna.
“KF Feronikeli njofton që trajneri i deritanishëm, Sulejman Starova, nuk do të mbajë më këtë pozitë, pasi kryesia e klubit ka marrë vendim për shkarkimin e tij. Arsyeja e largimit të tij janë rezultatet e dobëta të treguara përgjatë kohës sa ishte duke udhëhequr me klubin. Në interes të klubit tonë është që të luftojmë për titull dhe të jemi konkurrentë të denjë për të gjitha skuadrat e Superligës, ashtu siç kemi qenë vite me radhë, andaj duhet eliminuar çdo dyshim që mund të na vështirësojë luftën tonë për titull. Ne e falënderojmë ish-trajnerin e skuadrës sonë, Sulejman Starova, për kontributin e tij të dhënë përgjatë këtyre muajve”, shkruan në komunikatën e shkurtër për mediat Feronikeli, që çuditërisht e largoi Starovën pas fitores së parë sezonale, kundër Ballkanit, ndërkohë që kishte pasur plot ndeshje të tjera për të gjetur justifikim për ta larguar.
Nëse largimi i Starovës ishte në ajër, sepse kishte kohë që rezultatet nuk i pëlqenin klubit dhe loja nuk bindte, surprizë është largimi i Bekim Shotanit, trajneri që ishte përballë Starovës fundjavën e shkuar. Humbja e Ballkanit në shtesë ishte e dyta në 3 ndeshje, por një ekip debutues me 3 pikë pas 3 javëve të para nuk mund të nxitohet kështu, edhe në rast se ka qenë vetë Shotani që e ka kërkuar largimin.
Një dukuri e rrezikshme ajo me klubet kosovare, që në këtë mënyrë mbeten në rrugë qorre, duke mos e kuptuar se pikësëpari një klub fituese ndërtohet duke mos bërë revolucion çdo muaj.
Artikull tendencioz. Shotani ka dhene vete doreheqje.
Nuk ka tendence, sepse nuk po merremi me Shotanin apo Ballkanin, por me fenomenin shqiptar (Superiore+Superlige). Jo rastesisht shkruhet: një ekip debutues me 3 pikë pas 3 javëve të para nuk mund të nxitohet kështu, edhe në rast se ka qenë vetë Shotani që e ka kërkuar largimin.