Françesko Toti e mbyll karrierën te Roma, mes lotëve dhe mallëngjimit përpara 65 mijë tifozëve në “Olimpico” të Romës. Një heshtje totale, e pabesueshme, në fund të ndeshjes, aq sa askush nuk ka guximin të nisë ndonjë kor në nder të kapitenit.
Muzika në sfond është impresionuese: Gladiatori, Morrikone dhe në fund muzika e filmit të Roberto Beninjit “Jeta është e bukur”. Të gjithë në lot, vetëm duartrokitje, ndërsa fishkëllima ka për presidentin Palota dhe trajnerin Spaleti.
Sapo u mbyll ndeshja, Toti shkoi në dhomat e zhveshjes dhe doli pas pak minutash, duke u mallëngjyer nga stadiumi i veshur verdhekuq sapo preku fushën. Kur dolën edhe bashkëshortja Ilari me fëmijët Kristian, Shanel e Izabel, kapiteni shpërthen në lot.
Një xhiro fushe me lot në sy, aq sa e ka të vështirë të vazhdojë vrapin, ndërsa kur mbërrin te tribuna jugore, ajo e tifozerisë ultra, këmbët me zor e mbajnë.
Only Legends make everyone cry. What an emotional farewell to the Prince Of Rome! #Tottipic.twitter.com/iQPEinu73d
— Utkarsh (@Jurgenology) May 28, 2017
Qan Toti, qan gjithë stadiumi, kapiteni përkulet para tifozëve dhe ata para tij. Gjithë skuadra me fanella me numrin 10, lojtarët të gjithë në lot.
Më pas, fjalimi i Totit: “Nëse nuk ia dal mbanë, do vazhdojë Ilari ta lexojë këtë mesazh, këto ditë kam qarë në shtëpi i vetmuar, si budalla. Faleminderit Roma, faleminderit prindërit e mi, faleminderit vëlla, faleminderit të afërm dhe miq. Është e pamundur të tregoj 28 vite histori në pak fraza. Në një moment të jetës duhet të rritesh, kështu më kanë thënë dhe kështu ka vendosur koha. E mallkuara kohë. Sot kjo kohë erdhi, më preku te shpatulla dhe më tha: Duhet të rritemi, prej nesër je i rritur, hiqi pantallonat dhe këpucët, sepse tani je burrë, nuk do mundesh ta ndjesh kaq nga afër aromën e barit.
“Dua t’ua kushtoj këtë letër të gjithëve ju, të gjithë fëmijëve që kanë bërë tifozllëk për mua, të gjithë atyre që janë rritur e janë bërë prindër, të gjithë atyre që sot bërtasin Totigol. Më pëlqen të mendoj që karriera ime do të bëhet për ju një përrallë për t’u treguar. Tani mbaroi vërtet. Po e heq fanellën për herë të fundit. Po e palos përfundimisht, edhe pse nuk ndihem gati dhe ndoshta nuk do ndihem kurrë. Nuk është e lehtë ta fik dritën. Nuk është e njëjta gjë si të gjuash një penallti. Këtë radhë nuk arrij të shoh çfarë do të vijë më vonë. Më lejoni të kem pak frikë. Këtë herë jam unë që kam nevojë për ju dhe për ngrohtësinë tuaj. Të lindësh roman dhe romanist është privilegj, të jesh kapiten i kësaj skuadre është një nder.Jeni dhe do të jeni jeta ime: nuk do t’iu emocionoj më me këmbët e mia, por zemra ime do të jetë gjithnjë atje, me ju. Tani po zbres shkallët, po hyj në dhomat e zhveshjes që më kanë pritur që fëmijë dhe po i lë tani, që jam burrë. Jam krenar dhe i lumtur që u kam dhënë 28 vite dashuri. Ju dua shumë”.