Skuadra e Totenhem do të përballet në raundin e tretë të “Carabao Cup” ndaj Uotford. “Gjelat” e Londrës akoma nuk e kanë gati stadiumin e tyre dhe në sfidën ndaj Uotford do t’u duhet të “shtegtojnë” drejt stadiumit te MK Dons, një skuadër që luan në “League Two”.
Pikërisht për këtë sfidë, Totenhem u ka ofruar mundësinë gjithashtu dhe tifozëve të MK Dons që të bashkohen për të shijuar sfidën. Abonuesit sezonalë të stadiumit të ekipit, që militon në ligën e katërt angleze për nga rëndësia u është dhënë mundësia që të blejnë deri në 4 bileta dhe do të ulen në sektorë të caktuar të pjesës së sipërme të stadiumit.
Ende nuk është e qartë se sa bileta kanë ngelur të pashitura për ndeshjen e 26 shtatorit, por tifozët sezonalë të Totenhemit gjithashtu mjafton që të plotësojnë aplikimin dhe do të pajisen me biletë. Për këtë ndeshje kryesia e anglezëve gjithashtu bëri diçka tjetër të veçantë. Ata bënë një anketë ku pyesnin tifozët se në çfarë stadiumi i përshtatej atyre që të luhej sfida dhe ndaj u vendos për stadiumin “MK stadium” siç edhe quhet impianti. Ky stadium ka një kapacitet prej 30500 vendesh.