Topi i Artë për femra, një shaka skandaloze i prish mbrëmjen fenomenes norvegjeze

0

Topi i Artë tashmë ka fituesit e vet për vitin 2018 dhe Luka Modriç i ka dhënë fund epokës së dominimit nga Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Megjithatë, triumfi i mesfushorit kroat ka kaluar në plan të dytë në një farë mënyre, sepse dje u dha edhe Topi i Artë për femra, për herë të parë në histori, ndërsa një ndër prezantuesit e mbrëmjes, DJ i famshëm Martin Solveig, bëri një shaka pa kripë, duke i kërkuar norvegjezes Ada Hegerberg që ta festonte trofeun duke e pyetur nëse dëshironte të kërcente sipas modës së fundit, “twerk”, një lloj kërcimi vulgar me tundje të të pasmeve.

Hegerberg, e cila ka qenë vendimtare me golat e saj për sukseset e Lionit, fitues i titullit në Francë dhe kampion Europe, la pas danezen Pernille Harder në votim, por u vu në siklet nga kërkesa e çuditshme e Solveig.

FBL-FRA-FIFA-BALLONDOR-GALA

23-vjeçarja buzëqeshi tërë siklet dhe u shtang nga pyetja e Solveig, ndërsa më pas tha “jo” dhe tentoi të largohej nga skena, para se ish-ylli francez David Zhinola të ndërhynte dhe ta ftonte për një vallëzim, shumë më normal se “twerking”.

Pas ceremonisë së Topit të Artë Solveig kërkoi falje publike për batutën e tij: “I shpjegova është Adës dhe ajo më tha se e kuptoi që ishte një shaka. Gjithsesi, u kërkoj ndjesë gjithë atyre që mund të jenë ofenduar. Mbi të gjitha, përgëzime Anës”.

“Ai erdhi tek unë pas ceremonisë dhe ishte vërtet i trishtuar për atë që ndodhi. Nuk e konsideroj një ngacmim seksual, asgjë e tillë. Isha e lumtur që fitova Topin e Artë dhe e pranova me gjithë qejf vallëzimin e Ginola”, tha Hegerberg, e cila ka një mesazh për futbollistet anembanë: “Besoni te vetja, ky është mesazhi që kam për gjithë vajzat nëpër botë”.

Ndërkaq, tenisti Endi Mërej ka komentuar me tone të ashpra ngjarjen: “Ky është një tjetër shembull i seksizmit qesharak që ekziston në sport. Çfarë pyetjesh u bënë për Mbapé e Modriç? Vetëm për futboll. Për mua nuk ishte një shaka, më besoni, kam gjithë jetën në sport dhe niveli i seksizmit është i paimagjinueshëm”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.