Pas ndeshjes me Apoloninë në javën e 16-të, Tomori është ndëshkuar rëndë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Gjobë, 4 ndeshje jashtë fushe, si dhe dënim me 8 javë për trajnerin Santiliano Dule dhe ndihmësin e tij Arben Paja.
Javën e 17-të beratasit nuk udhëtuan në Ballsh dhe e humbën në tavolinë 0-3 ndeshjen me Bylisin, por edhe iu zbritën 3 pikë në renditje. Tashmë Tomori ka 16 pikë dhe renditet në vendin e 8-të, ndërsa nesër përballet me Elbasanin në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit.
Por duke qenë se dy trajnerët e skuadrës beratase, Dule dhe Paja, ishin objekt i dënimeve, mbetet për t’u mësuar se kush do ta drejtojë ekipin beratas kundër verdhebluve. Përgjegjësi i sporteve në Bashkinë e Beratit, Alban Pambuku, deklaron për SportEkspres.com se do të jetë ai që do ta drejtojë skuadrën në Ballsh.
Ndërkohë, trajneri Santiljano Dule deklaron se nesër në pankinë do të jetë Thoma Fani, ish-futbollist i Tomorit në periudhën 1996-2010, aktualisht pjesë e stafit të beratasve. Gjithsesi, nesër në “Adush Muça” do të mësohet kush do ta drejtojë zyrtarisht Tomorin kundër Elbasanit.
AGRON KAJA