Tomori zgjohet, Sharavolli: Kemi edhe tre finale

Tre javë përpara përfundimit të fazës së dytë në kampin e Tomorit kanë rritur ndjeshëm kuotat për të zënë vendin e pestë që do t’u mundësonte beratasve që të jenë pjesë e pesë skuadrave të para të grupit B në fazën e tretë, çka dhe ka qenë në fillim të këtij kampionati një objektiv madhor.

Megjithatë, mënyra se si kanë rrëshqitur në renditje tashmë e ka çuar situatën në një pikë kritike, sa që në Berat realisht vendin e pestë e shohin si një arritje maksimale në këtë kampionat.

Pas fitores së rëndësishme dhe të merituar në transfertë me Turbinën, duket se tek Tomori janë ringjallur shpresat dhe këtë e konfirmon edhe mesfushori më i spikatur në radhët e beratasve, Genaldo Sharavolli.

SHARAVOLLI – “Ishim të përgatitur dhe e kemi merituar plotësisht fitoren në Cërrik, pavarësisht pengesave që kemi hasur nga kundërshtari në fushë dhe gjykimi tendencioz. Tani kemi arsye të forta që të pretendojmë renditjen në 5 të parat e grupit dhe besojmë shumë që në tre javët e mbetura të synojmë shtatë pikë dhe të realizojmë objektivin tonë. Në tre takime, dy prej tyre i luajmë në shtëpi dhe qysh në ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë ne do të luajmë finalen e parë”, ka deklaruar mesfushori Sharavolli.

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *