Tomori ka mbetur pa kokë drejtuese nga dita e hënë pasdite, pasi në mënyrë krejt të papritur dhe si pjesë e dëshpërimit të barazimit dramatik në shtëpi ndaj Lushnjës në javën e parë trajneri Gersi Arbri ka vendosur të largohet.
Një veprim jo dhe aq i papritur nga trajneri, i cili në fakt është bezdisur gjithë gushtin nga zërat që e shihnin të largohej dhe të zëvendësohej nga Bledar Sinella.
Drejtuesit e Bashkisë Berat janë gjendur para faktit të kryer dhe shprehen të habitur për largimin e trajnerit, i cili nuk doli fare në seancën stërvitore të pasdites së të hënës, duke ia lënë drejtimin zëvendësit të tij Klement Agalliu.
PASUESI, NIS GARA – Nga ana e klubit dhe presidencës së Tomorit ka nisur menjëherë nga puna për zëvendësimin e teknikut Arbëri, dhe burime të besueshme për Sport Ekspres kanë bërë me dije se janë 4 kandidaturat alternative për të marrë drejtimin e Tomorit. Kanë nisur bisedimet me ish-teknikun e mirënjohur beratas Kristaq Mile dhe po kështu edhe me kavajasin Bledar Sinella, por edhe beratasin Santiliano Dule. Një emër surprizë është ai i Bledar Devollit, i cili gjithashtu është një kandidaturë potenciale dhe duket se do të përzgjidhet trajneri që do të ketë kërkesat më të arsyeshme financiare dhe njëkohësisht do të garantojë një Tomor pretendent për vendet e kreut.
Edi Spahiu