Të mërkurën do të hidhet shorti për kalendarin e Kategorisë së parë dhe Tomori do të mësojë rrugëtimin që do të ndjekë në sezonin 2017-2018. Një problem shqetësues në Berat ka të bëjë me stadiumin, pasi ende nuk është shtruar tapeti, edhe pse punimet kanë nisur prej kohësh.
Ditët e fundit ka pasur shumë fjalë se Tomori do ta nisë kampionatin në Kuçovë, aty ku janë luajtur edhe vjet disa prej ndeshjeve, për shkak të kushteve të fushës së amortizuar në stadiumin Tomori. Burime të besueshme të gazetës bëjnë me dije se ka edhe pagesa të pashlyera për përdorimin e stadiumit të Naftëtarit vjet, gjë nuk mohohet nga burime pranë klubit të Tomorit, që gjithashtu bëjnë me dije për gazetën se beratasit do ta nisin kampionatin në shtëpi.
“Që në momentin që është bërë tenderimi për rikonstruksionin e stadiumit, është parashikuar që ai të jetë gati para fillimit të kampionatit. Nga bisedat që kemi pasur me drejtuesit e firmës së kontraktuar është garantuar se fusha do të jetë gati në kohë, sipas afateve të përcaktuara. Momentalisht pritet që të vijë tapeti dhe të bëhet shtrimi i tij. Pra, gjithçka do të mbyllet në kohë dhe do ta nisim kampionatin në shtëpi”, thonë burime zyrtare të Tomorit për gazetën.