Trajneri i ri i Tomorit Santiliano Dule po e shfrytëzon këtë janë për të vlerësuar parametrat fizikë të futbollistëve dhe për t’i njohur sa më mirë karakteristikat e secilit, nëpërmjet ndeshjeve brenda grupit.
Megjithatë, duhen ndeshje miqësore deri në fund të muajit dhe dy të tilla duket se klubi beratas i ka gjetur.
Tekniku Dule ka bërë të ditur se fillimisht të mërkurën e ardhshme do të luhet ndaj Albpetrolit në transfertë, dhe në fundjavë ditën e shtunë, ndaj Egnatias në Berat.
“Ndeshjet miqësore i konsiderojmë si shumë të rëndësishme, pasi nëpërmjet tyre do të vendosim formacionin tip dhe në të njëjtën kohë edhe strategjinë tonë taktike gjatë gjithë pjesës së mbetur të kampionatit”, është shprehur Dule menjëherë pas ndeshjes së kontrollit ditën e mërkurë pasdite.
KËRKOHET ZËVENDËSTRAJNER – Zëvendëstrajneri Klement Agalliu është larguar jashtë vendit dhe pritet zëvendësimi i tij nga ana e klubit, që i ka kërkuar teknikut aktual Dule që të përzgjedhë një nga emrat e specialistëve “brenda familjes”. Për momentin janë tre emra të mundshëm që përfliten si zëvendësues të Agalliut, emra të njohur si Gersi Arbri, Elton Fani dhe Bledar Dura. Duket e sigurt që njëri prej tyre do të jetë krahu i djathtë i teknikut aktual Dule.
EDI SPAHIU