Tomori-Apolonia, çifti i barazimeve në kampionatet e fundit

Të dielën në Berat do të luhet ndeshja e javës së 16-të të Kategorisë së Parë, Tomori-Apolonia. Duke ju referuar katër ndeshjeve që këto skuadra kanë zhvilluar mes tyre në sezonin e kaluar 2017-2018, gjithçka është e barabartë. Në fazën e parë Tomori fitoi 3-2 në Fier, ndërsa në të dytën Apolonia triumfoi minimalisht në Berat 1-0, një ndeshje që pati edhe tension në lojë me 10 kartonë të verdhë dhe 2 kartonë të kuq. Ndërsa të dyja takimet mes Tomorit dhe Apolonisë në fazën e tretë kanë përfunduar në barazime 0-0 dhe 1-1. Ato u luajtën për pesëshen e parë në këtë grup.

Me bilancin 1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje nga sezoni i kaluar, në fazën e parë të këtij kampionati në ndeshjen e luajtur më 27 tetor 2018, Tomori barazoi 0-0 në Fier. Dhe duke i parë skuadrat nga këto shifra të sezonit të fundit, të dielën Tomori dhe Apolonia vijnë si të barabartë, por në synime të kundërta.

Sepse të dyja skuadrat do kërkojnë fitoren në këtë sfidë për të qenë pjesë në 5 skuadrat e para në renditjen e Grupit B pas fazës së dytë, për të mos rrezikuar mbijetesën në fazën e tretë ku pikët përgjysmohen.

Në 10 sezonet e fundit Tomori nuk është pozitiv ndaj Apolonisë, ku në 27 ndeshje ka fituar 9, ka barazuar 8 dhe ka humbur 10 ndeshje, bilanc i ngushtë që të dielën është vetëm për statistikë. Ndërkohë që në renditjen aktuale, pas 15 ndeshjeve në dy fazat e para Apolonia renditet në vendin e 7-të me 20 pikë dhe Tomori në vendin e 8-të me 19 pikë. Ndeshja Tomori-Apolonia do të luhet të dielën datë 10 shkurt 2019 në stadiumin “Tomori” në Berat, duke nisur nga ora 14:00.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *