Konstatimi i mbrojtësit: Në Gjirokastër mbërrita natën dhe në mëngjes u befasova nga bukuria e qytetit. Më shumë më habit dashuria e njerëzve këtu
Gëzim Beqiri
Bruno Toledo, i ardhur te Luftëtari gjatë merkatos së verës, ka qenë titullar në 4 takimet e para të këtij kampionati, duke u aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes gjirokastrite. Ka luajtur më parë me disa skuadra, ku e fundit është Liverpul F.C në vendlindjen e tij Uruguai.
Për “Sport Ekspres”, Toledo ka folur më shumë për jetën që bën në Gjirokastër, por edhe për futbollin shqiptar. Ai veçon mes të tjerash dashurinë e gjithë njerëzve në qytet dhe afrimitetin me shokët e skuadrës. Ja çfarë thotë konkretisht uruguaiani për Gjirokastrën dhe Luftëtarin: ”Kur m’u kërkua fillimisht të vija në Shqipëri për t’u aktivizuar me Luftëtarin, sinqerisht dija shumë pak për futbollin shqiptar. Me shumë vonesë kam mësuar se ekzistonte Shqipëria. Në Gjirokastër kam mbërritur natën dhe në mëngjes, kur pashë qytetin, jam befasuar nga bukuria. Por më shumë se bukuria e qytetit, më japin ndjesi të veçantë njerëzit që janë këtu dhe nuk janë dashamirës vetëm ata që ndjekin futbollin, por kudo ku shkojmë ndjejmë dashurinë dhe përkrahjen e tyre. Nëse më pyesni për futbollin këtu, konstatoj se është një futboll i fortë dhe burrëror. Janë pak ekipe në Superligë, prandaj secili kërkon të fitojë dhe ndeshjet bëhen më të vështira. Mënyra e të luajturit këtu është më elastike dhe më e bukur, me shumë shpejtësi dhe ritëm se në Uruguai. Aty ka më shumë ashpërsi, këtu më shumë teknikë. Me këtë mënyrë luajmë edhe ne. Luftëtari do të luajë më mirë në javët e ardhshme të kampionatit, sepse jemi duke e rritur nivelin e lojës nga ndeshja në ndeshje. Garantojmë jo vetëm qëndrimin në Superligë, por pretendojmë një nga tre vendet e para në përfundim të sezonit. Kam mbetur shumë i kënaqur nga akomodimi në këtë klub, sidomos nga shoqëria, ku të gjithë jemi si një familje. Të gjithë janë djem të mirë dhe të afruar. Ne që jemi shumë larg e ndjejmë më mirë këtë afërsi dhe shoqëri. Shokët e skuadrës nuk janë vetëm djem të mirë, por edhe futbollistë të nivelit të lartë. Disa flasin gjuhën time. Hoxha e flet shumë mirë, por edhe Ramadani e Rapa. Kuptohem me të gjithë. Gjuha shqipe është e vështirë, ndoshta që është fillimi që e dëgjoj, por kam mësuar disa fjalë. Për stërvitjen dhe komunikimin në lojë është më e lehtë, sepse në futboll si në lojë edhe jashtë saj, ka terma dhe shprehje standarde që kuptohen. Shumë kohë qëndrojmë bashkë dhe të gjithë jemi të ardhur në Gjirokastër, duke dhënë idenë e një familjeje të madhe. Hamë bashkë, por, të them të drejtën, pak lloj gatimesh kam provuar këtu. Nuk bëjnë shumë ndryshim gatimet këtu me ato në Uruguai, me përjashtim të ëmbëlsirave, të cilat më pëlqejnë shumë dhe i konsumoj çdo ditë”, përfundon Bruno Toledo.