TKZ feston 15-vjetorin e krijimit, ndërkohë që sot përfaqësues të këtij grupimi kanë pasur një takim me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën. Pas këtij takimi, kreu i shtetit ka bërë edhe një vlerësim për këtë grupim tifozësh.
“Tifozat Kuq e Zi janë frymëzimi i Kombëtares tonë dhe padyshim lojtari i 12-të i saj. Me dashurinë e jashtëzakonshme për kombin, energjinë e pashtershme dhe qytetarinë e tyre, Tifozat Kuq e Zi e kanë lartësuar më së miri flamurin shqiptar në arenat sportive.
Motivim i jashtëzakonshëm për yjet e Kombëtares sonë dhe adrenalinë e paparë për zemrën e çdo shqiptari që rreh për ngjyrat kuq e zi.
Me rastin e 15-vjetorit të themelimit të këtij tifo-grupi, pata sot kënaqësinë të zhvilloja një takim të përzemërt me një përfaqësi të tyre, të cilët i falënderova për kontributin dhe i inkurajova të jenë përherë pranë Kombëtares në sfidat e radhës”, shkruan Meta në faqen e tij në “Facebook”.