Shqipëria ka një ndeshje të vështirë në Ligën e Kombeve, ku do të përballet me Skocinë. Situata nuk është e mirë në kampin kuqezi, me trajnerin që foli ashpër në konferencën për shtyp, duke i sulmuar në një farë mënyre edhe lojtarët.
Sot, skuadra ka vijuar normalisht punën në kompasin “Tropikal” në Durrës, por lajme aspak të mira vijnë për teknikun italian. Ermir Lenjani është larguar nga grumbullimi, pasi ai po vuan një dëmtim që e ka pësuar në ndeshjen e fundit me Sionin. Edhe pse mbrojtësi tentoi që të rikuperohej, mjekët i kanë komunikuar se është e pamundur për të qenë gati për ndeshjen e kësja të shtune.
Në të tilla kushte Lenjani është përshëndetur me shokët sot dhe do të niset drejt Zvicrës, ku do të marrë një trajtim më të specializuar. Për të ardhur keq, pasi Lenjani shihej si një kandidat potencial për të qenë titullar për ndeshjen me skocezët, duke marrë në konsideratë dhe formën e mirë që po kalonte. I diferencuar ka punuar edhe sot Eros Grezda, por lojtari i Rejnxhërsit, pritet që të jetë gati për ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve.