Një lajm i keq vjen nga Turqia për trajnerin e kombëtares sonë Kristian Panuçi. Bëhet fjalë për sulmuesin kavajas Sokol Cikalleshi, i cili ka pësuar një dëmtim. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi në një njoftim para ndeshjes me Trabzonsporin.
Për momentin nuk bëhet e ditur se çfarë dëmtimi ka pësuar Cikalleshi, por grumbullimet e kombëtareve janë më pak se dy javë larg dhe 28-vjeçari, do ta ketë të vështirë të rikthehet në përfaqësuesen shqiptare për ndeshjen e kthimit ndaj Izraelit.
I gjendur para kësaj situate, Panuçi do jetë i detyruar t’ia besojë sërish Balajt dhe Gurit rolin e sulmuesit në kombëtaren tonë. Mungesa e “bomberit” kavajas mund të sjellë që tekniku italian të hedhë një sy nga ekipi i shpresave, ku Durmishaj dhe Vrioni presin në çdo moment ftesën e tij.