Titulli dhe e ardhmja, premtimet e mëdha të kapitenit Alban Hoxha

Një kapiten brenda dhe jashtë fushe. Një prej lojtarëve më të vjetër të ekipit, padyshim një prej shtyllave të skuadrës dhe njeriu tek i cili i kanë sytë shokët e skuadrës dhe tifozëve. Alban Hoxhën mund ta njihni si një personazh zakonisht të rezervuar. Por, këtë herë, për “Zona Gol” në “SuperSport”, portieri i Partizanit pasqyron një optimizëm, deri diku të kuptueshëm për skuadrën që ka paraqitur futbollin më të mirë të kampionatit dhe kryeson në renditje. Hoxha bën tifozët e kuq të ëndërrojnë, nga gara për titullin, për të vazhduar tek e ardhmja, ndërsa analizoi Laçin, kundërshtarin e ardhshëm, trajnerët më të mirë te Partizani dhe zbuloi prapaskena pikante për aventurën e dështuar të Iulianos.

Ndeshja me Laçin – Ne i përgatisim njësoj të gjitha ndeshjet. Është ndeshje e vështirë: Laçi ka treguar kualitet dhe futboll të bukur. Javën e kaluar mposhtën Skënderbeun, me një lojë që mua më pëlqeu. Jemi përgatitur mirë gjithë javën dhe këtë shpresoj ta tregojmë në fushë.

“Mace e zezë” – Laçi është një ekip i fort, ndër vite ka qenë i tillë. Kanë mposhtur edhe Skënderbeun dhe Kukësin. Ekipi i vjetshëm me Iulianon ishte i ndryshëm. Por nuk dua të flas për të shkuarën, por për Partizanin aktual. Jemi shumë më ndryshe, kemi fituar besimin. Mund të hyjmë pa frikë, jo thjesht në fushën tonë, por në çdo qytet dhe përballë çdo ekipi që është i vështirë për ta mundur. Do të bëjmë më të mirën të kemi vazhdimësi dhe të qëndrojmë në krye.

Memelli – Nuk e njoh si trajner, por si shok ekipi. E njoh si sulmues, që ka qenë ndër më të mirët, por realisht nuk e di si i përgatit Migeni ndeshjet.

Trofetë – Mungojnë prej 2013? Shpresoj se është viti i duhur për të fituar. Çdo vit kemi qenë thuajse gati për të qenë kampionë. Titulli na ka ikur nga duart me shumë pak gabime të vogla. Mendoj se është viti i duhur. Askush nuk e priste që Partizani do të ishte në krye, por gjërat po rrjedhin mirë, ka harmoni, po punohet mirë. Besoj se ky është viti i duhur për të dalë kampionë.

Iuliano – Problemet nisën prej fillimit të sezonit. U dënua Trashi për një problem të vogël, u dënova unë për diçka që nuk kishte lidhje. Donte të vendoste rregulla, por nuk i eci. Shiritin e dorëzova vetë, nuk ma kërkoi njeri. Mendova se ndoshta do e bënte dikush punën më mirë se unë. Nuk ishte viti më i mirë te Partizani, madje në gjithë këto vite ku unë kam qenë këtu, mund të them se ishte viti më i vështirë.

Trajnerët – Trajnerët më të mirë? Me Shpëtim Duro kam kaluar shumë mirë. Trajneri duhet të dijë ti marrë lojtarëve më tepër se 100 për qind. Kushdo mund të bëhet trajner me një copë letër. Edhe me Starovën kam kaluar shumë mirë, por edhe me trajnerin aktual Skënder Gega, po kalojmë të njëjtin moment. Jo për ti bërë qejfin, por e tregon vetë momenti që po kalojmë. Për mua është komunikimi, e kanë patur më të mirë dhe dinë ti marrin lojtarëve maksimumin.

E ardhmja – Përse nuk jam transferuar jashtë? Përherë më është bërë kjo pyetje në këto tre vitet e fundit. E vërteta është që ka patur disa oferta, ndoshta nga momenti im i mirë, edhe klubi ka kërkuar pak më tepër para. Janë prishur tre oferta reale, për shumë pak gjëra. Nuk ishte e shkruar të luaja jashtë. Por, duke qenë se mosha është pak e madhe, edhe portierët e kanë pak të vështirë të transferohen në një ligë jashtë vendit, mendoj ta mbyll karrierën te Partizani. Nuk jam plak, sepse mendoj që në futbollin shqiptar mund të luaj edhe dhjetë vjet, por dua të luaj deri në fund te Partizani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *