“Tirona Fanatics” nisin luftën me “Lali Erin”

Olsi Avdiaj

Nuk ka më pushim. “Tirona Fanatics” i shpall luftë Erion Veliajt dhe Bashkisë. Pak ditë pas protestës së 31 majit, tifozët bëhen të gjallë dhe kërkojnë nga Bashkia të “zgjohet” dhe të marrë një vendim për klubin Tirana. Me një reagim në “Facebook”, ata kërkojnë që Erion Veliaj, si kryetar i Bashkisë të marrë një vendim dhe të prishë marrëveshjen me presidentin Refik Halili. Për ta detyruar “Lali Erin”, ata ftojnë të gjithë të mërkurën në orën 18:00 për të protestuar paqësisht para Bashkisë. “Ditë pas rënies së KF Tironës nga Superliga, ende nuk ka asnjë lloj reagimi. Ish-presidenti vazhdon të heshtë dhe me të edhe Z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tironë dhe rrjedhimisht zotëruesi i 34% të aksioneve. Ndërsa nga i pari nuk presim asgjë, duke u nisur edhe nga lloji i njeriut që është, besojmë në një reagim të Kryetarit të Bashkisë. KF Tirona është një pasuri e qytetit të Tironës dhe si e tillë, së paku për shkaqe morale i takon Kryetarit të Bashkisë të reagojë. Qytetarët e Tironës nuk do të tolerojnë përdhosjen e simbolit të Kryeqytetit dhe janë të vendosur të dalin në mbrojtje të KF Tironës. Prandaj i bëhet thirrje të gjithë “tironasve”, tifozëve të KF Tironës, dashamirësve, atyre që kanë dhënë për ngjyrat bardheblu, qytetarëve të thjeshtë që e shohin KF Tironën si një pjesë të pandashme të qytetit dhe çdo burri, gruaje, djali dhe vajze: Të mërkurën në 18:00, protestojmë paqësisht para Bashkisë”, shkruanin “Fanatics”.

Më 31 maj para finales së Kupës, tifozët zhvilluan një protestë ku shfrynë dufin para derës së “Lali Erit”, duke i kërkuar atij largimin e presidentit nga klubi. Grupimi i njohur si “Tirona Fanatics” para Bashkisë Tiranë, i kërkuan kryetarit të saj, që t’i heqë aksionet presidentit Refik Halili. Në letrën e asaj dite, ata shkruanin: “Duke parë ndodhitë e fundit dhe rënien nga kategoria të KF Tirana, kërkojmë rishikimin e aksioneve dhe shfuqizimin e z. Refik Halili bazuar në pikat e mëposhtme:Dështim në ndërtimin e një klubi të strukturuar. Borxhet e pashlyera dhe shmangja e detyrimeve. Mashtrimet dhe mungesa e transparencës ndaj tifozëve. Objektivi dhe buxheti vjetor i padeklaruar. Rënia nga kategoria. Si aksioner të KF Tiranës dhe institucioni që i besoi pjesën më të madhe të aksioneve z. Refik Halili, kërkojmë nga Bashkia Tiranë mbajtjen e një qëndrimi korrekt ndaj popullit bardheblu dhe qytetarëve të Tiranës. Detyrimi juaj kryesor është KF Tirana dhe jo ekipe të tjera të futbollit”, thuhej në protestën e para dy javëve tek Bashkia Tiranë.

Situata tani është e nderë. Bashkia dhe presidenti duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë. Do të ecin bashkë për të kthyer Tiranën në Superiore, apo lufta e ftohtë mes tifozëve dhe klubit, përfshirë edhe Bashkinë do të ashpërsohet edhe më shumë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *