Superiorja rikthehet sërish ditën e nesërme me javën e parë të fazës më vendimtare të kampionatit. Faza e katërt është sprinti i fundit për të gjitha skaudrat dhe do të përcaktohet përfundimisht çështja e titullit apo edhe rëniet nga kategoria. Për të komentuar duelet e radhës, në emisonin “Sport Magazine” në “Ora Neës“ të moderuar nga Altin Xhepollari ka qenë i ftuar Alban Tafaj.
“Teuta-Tirana do jetë sfida më e rëndësishme e kësaj jave të parë të javës së katërt. Teuta shpreson për titullin kampion, por edhe Tirana do jetë në stacionet e fundit të trenit për ta kapur për të hyrë në Europë. Aty është edhe Partizani, aty është edhe Laçi dhe besoj se do e ketë shumë të vështirë. Është një ndeshje shumë e përcaktuar për të dy skuadrat. Vjen në një moment delikat për të dyja.
Skënderbeu ka treguar, të paktën në këto javë të fundit, një Skënderbe që lufton në të gjitha forcat dhe mënyrat për të mbajtur emrin në radhë të parë, sespe është edhe finaliste e Kupës së Shqipërisë. Por për të mbajtur lart edhe moralin e kësaj skuadre, të paktën me një 10 vjeçar të fundit i ka dhënë mjaft ton futbollit tonë, qoftë në arenat europiane, qoftë në kampionatin tonë”, ka deklaruar ndër të tjera Alban Tafaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/